Shifrat e frikshme: Ndryshimet klimatike shkaktare të 37% të vdekjeve nga temperaturat e larta

0
Zëri i Amerikës nxjerr shifrat e frikshme: Ndryshimet klimatike

Më shumë se një e treta e vdekjeve vjetore në botë nga temperaturat e larta janë rezultat i ngrohjes globale, sipas një studimi të kohëve të fundit që përllogarit koston njerëzore të shkaktuar nga ndryshimet klimatike.

Por shkencëtarët thonë se kjo është vetëm një pjesë e numrit të përgjithshëm të vdekjeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, pasi ka më shumë njerëz që vdesin nga pasoja e ngrohjes globale siç janë moti ekstrem. Këtu përfshihen stuhitë, përmbytjet dhe thatësira. Shkencëtarët thonë se numri i vdekjeve nga nxehtësia do të rritet paralelisht me rritjen e temperaturave.

Dhjetëra hulumtues që analizuan vdekjet në 732 qytete në mbarë botën nga vitit 1991 deri në vitin 2018, thonë se përllogaritjet e tyre tregojnë se 37% e vdekjeve ishin rezultat i temperaturave të larta si rrjedhojë e ngrohjes klimatike të shkaktuar nga dora e njeriut. Studimi u botua të hënën në revistën “Nature Climate Change”.

Rreth 9,700 njerëz humbën jetën në ato qytet, por numrat janë më të lartë në shkallë botërore, thotë autorja kryesore e studimit.

“Këto janë vdekje që kanë lidhje me temperaturat e larta që në të vërtetë mund të parandalohen. Diçka e shkaktuar drejtpërdrejt nga dora e njeriut”, tha Ana Vicedo-Cabrera, epidemiologe në Institutin e Mjekësisë Sociale dhe Parandaluese në Universitetin e Bernit në Zvicër.

Shkalla më e lartë e vdekjeve nga temperaturat e larta të shkaktuara nga ngrohja globale u regjistrua në qytetet e Amerikës së Jugut. Zonja Vicedo-Cabrera theksoi Evropën Jugore dhe Azinë Jugore si pika të tjera të nxehta.

Studiueit zbuluan se qyteti Sao Paulo në Brazil ka numrin më të lartë të vdekjeve nga temperaturat e larta të shkaktuara nga ndryshimet klimatike me mesatarisht 239 në vit.

Rreth 35% e vdekjeve nga nxehtësia në Shtetet e Bashkuara mund të fajësohen tek ndryshimet klimatike, thuhet në studim. Në rreth 200 qytete të Shtetve të Bashkuara u regjistruan 1,100 vdekje në vit, kryesuar nga Nju Jorku me 141 vdekje.

Shkencëtarët përdorën të dhëna dhjetëravjeçare në 732 qytete duke studiuar shkallën e vdekjeve në çdo qytet në krahasim ne ndryshimet klimatike nga një qytet tek tjetri. Disa qytete i rezistojnë më mirë rritjes së temperaturave për shkak të ajrit të kondicionuar, faktorëve kulturorë dhe kushteve mjedisore, tha zonja Vicedo-Cabrera.

Hulumtuesit i krahasuan të dhënat e grumbulluara për rritjen e temperaturave me 10 modele kompjuterike që simulojnë një botë pa ndryshime klimatike. Dallimi është ngrohja e shkaktuar nga dora e njeriut./Voa

Artikulli i mëparshëmOperacioni ‘Binomi’/ Sekuestrohen eksploziv, armë dhe fishekë, policia vë në pranga 3 persona në Durrës
Artikulli i radhësInvestigimi/ Mafia Shqiptare në Belgjikë sundon tregun ndërkombëtar të drogës