Mashtronte kompani të ndryshme, edhe shqiptare, duke iu premtuar blerjen online të disa pajisjeve që në të vërtetë nuk zotëronte.
Për këtë arsye, pas një hetimi të gjatë pothuajse 4-vjeçar, një shtetas rumun, A.T., është vënë në pranga në Gjermani, me akuzën e mashtrimit kompjuterik.
Rumuni, që kishte krijuar një kompani fiktive me emërtimin “EHExport-Import“, kishte mashtruar me këtë skemë të paktën 26 kompani të ndryshme, por numri mund të jetë shumë më i madh për shkak të rasteve të padokumentuara nga viti 2013, kur ka filluar aktivitetin.
Ndër to, figuron edhe një kompani shqiptare e cila kishte denoncuar mashtrimin në vitin 2017, duke aktivizuar hetimin nga ana e Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
I arrestuari kishte përfituar nga rastet e dokumentuara më shumë se 426 mijë euro, ndërkohë që për të “mbijetuar” në biznes, 41-vjeçari dyshohet se ka përdorur të paktën 11 identitete të ndryshme.