Pas humbjes në shtëpi ndaj Rumanisë, kampi i kombëtares së Kosovës është përfshirë nga një krizë. Ndërsa skuadra po përgatitet për ndeshjen kundër Qipros, Federata Kosovare e Futbollit njofton largimin e tre lojtarëve nga grumbullimi i ekipit kombëtar.
Arjanet Muric, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija janë përjashtuar nga ekipi për shkak të shkeljes së rregullores së vendosur nga trajneri Franco Foda dhe Federata. Për ndëshkimet e mëtejshme ndaj këtyre lojtarëve do të vendosë Komiteti Ekzekutiv i FFK-së.
“Në bazë të një vendimi të përbashkët të trajnerit Franco Foda dhe Federatës, tre futbollistët: Arjanet Muric, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija janë larguar nga grumbullimi i ekipit për shkak të thyerjes së rregullores së vendosur nga trajneri dhe Federata. Masat e mëtejshme do të përcaktohen nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. Ekipit do t’i bashkohet portieri rezervë Faton Maloku nga FC Drita,” thuhet në njoftimin e Federatës Kosovare të Futbollit.