PD ishte e para që zyrtarizoi emrat e 12 drejtuesve politikë në qarqet e vendit, të cilët do të udhëheqin fushatën e demokratëve me përgjegjësinë për rezultatin elektoral.
Sot socialistët kanë prezantuar ekipin e tyre të fushatës në Asamblenë Kombëtare të PS-së, ku kryeministri Edi Rama prezantoi emrat e 12 drejtuesve të qarqeve, duke shtuar për herë të parë edhe një zonë të 13-të, atë të Diasporës. Në krahasim me PD-në, lista e PS-së paraqiti disa ndryshime të rëndësishme.
Në Qarkun e Tiranës, PS ka mobilizuar Elisa Spiropalin, Ogerta Manastirliun dhe Erion Veliajn, të cilët do të përballen me Belind Këlliçin, drejtuesin e vetëm të PD-së për këtë qark.
Në Elbasan, Ervin Salianji i PD-së do të sfidohet nga Arbjan Mazniku i PS-së.
Në Fier, Gazment Bardhi i PD-së do të përballet me Belinda Ballukun e PS-së, e cila është transferuar nga Qarku i Dibrës.
Në Shkodër, Benet Beci i PS-së gjen përballë Luçiano Boçin e PD-së.
Në Korçë, Niko Peleshi i PS-së do të ketë përballë juristin Ivi Kaso të PD-së.
Në Vlorë, Bledi Çuçi i PS-së sfidon Bujar Leskajn e PD-së.
Në Lezhë, Agron Gjekmarkaj i PD-së do të përballet me Ulsi Manjën e PS-së, ndërsa në Berat, Eno Bozdo i PD-së ka përballë Ervin Demon e PS-së.
Në Durrës, Emirjana Sako e PS-së sfidon Oerd Bylykbashin e PD-së.
Në Dibër, Blendi Gonxhja i PS-së përballet me Xhelal Mziun e PD-së, ndërsa në Kukës, Flamur Hoxha i PD-së do të ketë përballë Pandeli Majkon e PS-së.
Në Gjirokastër, Tritan Shehu i PD-së përballet me Mirela Kumbaron e PS-së.
PS ka krijuar një zonë zgjedhore të re për Diasporën, ku drejtues politik do të jetë Taulant Balla.