Fondi i Katarit nis tenderin për konsulencë për ndërtimin e Sheshit Katar në Tiranë

0

Fondi për Zhvillim i Katarit dhe Bashkia e Tiranës kanë formalizuar një bashkëpunim të rëndësishëm për zhvillimin urban të kryeqytetit, me projektin ambicioz për ndërtimin e Sheshit “Katar” në fund të Bulevardit të Ri. Marrëveshja, që përfshin një grant prej 11 milionë eurosh, u nënshkrua më 24 korrik 2024 nga drejtori i Fondit për Zhvillim të Katarit, Sultan Ahmad Al Asseri, dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në praninë e ambasadorit të Katarit në Tiranë, Jabor Ali H.A. Al Dosari.

Projekti i Sheshit “Katar” synon të krijojë një hapësirë moderne dhe të gjelbër për qytetarët, duke ofruar 200 vende parkimi nëntokësore dhe një seri lulishtesh të bukura. Një ndër veçantitë e këtij sheshi do të jetë impianti inovativ i pastrimit të ujit të lumit, i cili do të filtrohet dhe pastrohet për të krijuar një ambient ekologjik dhe relaksues për qytetarët. Kjo hapësirë pritet të jetë një magnet për zhvillimin e mëtejshëm të zonës dhe do të rrisë vlerën e pronave përreth.

Një aspekt i rëndësishëm i projektit është lidhja organike që Sheshi “Katar” do të krijojë me Kamzën, duke forcuar kështu infrastrukturën dhe integrimin urban të dy zonave.

Në vijim të kësaj marrëveshjeje, Fondi i Katarit për Zhvillim ka shpallur një tender publik për ofrimin e shërbimeve të konsulencës në lidhje me ndërtimin e këtij sheshi. Konsulentët e interesuar janë të ftuar të marrin pjesë në këtë garë ndërkombëtare për të sjellë ekspertizën e tyre në një projekt që pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë në Shqipëri.

Artikulli i mëparshëmVuçiç i bën thirrje Hamasit për lirimin e pengut serb gjatë takimit historik me Netanyahu-n: “Duhet t’i ndalojmë këto akte monstruoze!”
Artikulli i radhësRama gati të emërojë Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit – Zbulohet kandidati favorit!