Lamtumirë Sefedin Braho, legjenda që la gjurmë të pashlyeshme në futbollin shqiptar!

0

Sot futbolli shqiptar humbi një nga figurat më të shquara të tij. Sefedin Braho, ish-lojtari legjendar i Luftëtarit dhe Kombëtares Shqiptare, ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, pas disa komplikacioneve shëndetësore që përkeqësuan gjendjen e tij ditët e fundit.

Braho shquhej për talentin e tij natyral dhe ishte një nga lojtarët më të njohur të viteve ’70-’80. Me nofkën “shigjeta”, për shkak të shpejtësisë dhe finesës së tij në fushë, ai u dallua si një ndër futbollistët më të aftë të asaj kohe. I lindur në vitin 1953 në Gjirokastër, Sefedin Braho nisi të binte në sy që në moshë të re, duke luajtur në fushat e lagjes. Edhe pse fillimisht e tërhiqte basketbolli, ishte futbolli ai që i ndryshoi fatin. Falë mentorëve të tij, Zisi Cabeli dhe Foto Xhai, ai u njoh për shpejtësinë dhe zgjuarsinë në lojë, duke kapërcyer mungesën e fizikut dominues me një aftësi të jashtëzakonshme teknike.

Braho, lojtari që zgjodhi familjen mbi karrierën

Pas debutimit të tij në Luftëtarin e Gjirokastrës, Braho u bë pjesë e Partizanit kur filloi shërbimin ushtarak, një ekip ku luanin disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar. Megjithëse e ardhmja e tij në Partizan dukej premtuese, Braho bëri një zgjedhje të rrallë: vendosi të largohej nga ekipi pas vetëm dy viteve, për t’u kthyer pranë familjes së tij në Gjirokastër. Kjo zgjedhje e veçantë e dalloi atë nga bashkëkohësit, të cilët aspironin të qëndronin në klubet më të njohura për një karrierë më të gjatë.

Një ofertë që u refuzua

Gjatë karrierës së tij me Partizanin, Braho u thirr shpesh për ndeshje ndërkombëtare, ku performoi me sukses kundër ekipeve të njohura si Rijeka, Malmo dhe Celtic. Pas një ndeshjeje kundër Celtic në Tiranë, presidenti i klubit skocez i ofroi Brahos një shumë marramendëse për atë kohë – 1 milion dollarë – por kaq, e tillë ishte ajo kohë.

Kontributi për Kombëtaren

Karriera ndërkombëtare e Sefedin Brahos me Kombëtaren përfshin nëntë ndeshje dhe një gol të rëndësishëm. Debutimi i tij erdhi në vitin 1973 në një ndeshje kundër Rumanisë, ndërsa rikthimi i tij pas një pauze të gjatë i solli një tjetër moment historik, kur realizoi një gol në fitoren 2-0 ndaj Finlandës në vitin 1980.

Sefedin Braho do të kujtohet jo vetëm si një futbollist i shkëlqyer, por edhe si një njeri që vlerësoi gjithmonë familjen mbi karrierën dhe pasurinë.

Artikulli i mëparshëmMotrat Berisha në arrati: Dhunuan Klea Prengën dhe tani fshihen në Dubai
Artikulli i radhësPolicia njofton bllokime të shumta të rrugëve në Tiranë për protestën e opozitës