Lojërat politike dhe fetare të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan po bëhen gjithnjë e më të qarta, ndërsa ai po përpiqet të zgjerojë ndikimin e tij në Shqipëri, kësaj here duke synuar të kapë edhe institucionet tona fetare. Nuk është më sekret se Erdogani ka ndërmarrë një hap të paprecedentë për të uzurpuar Komunitetin Mysliman Shqiptar (KMSH) duke caktuar një imam turk për të drejtuar xhaminë e Namazgjasë në Tiranë.
Kjo përpjekje e turpshme për të nënshtruar shqiptarët përmes fesë është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit tonë fetar dhe kombëtar. Pasi KMSH ndërpreu marrëdhëniet me Ankaranë, Erdogan vendosi të sjellë nga Turqia një besnik të tij për të drejtuar një nga xhamitë më të mëdha në vend. Imam Enes Bastur, i cili është caktuar nga Drejtoria e Çështjeve Fetare të Turqisë, tani pretendon të marrë drejtimin e kësaj faltoreje madhështore në kryeqytet.
Ky veprim është një fyerje për institucionet tona fetare, një shkelje e pavarësisë së KMSH-së dhe një ndërhyrje e papranueshme nga jashtë. Erdogani pretendon se kreu aktual i KMSH-së, Bujar Spahiu, dhe anëtarët e tjerë janë të lidhur me lëvizjen Gylen, dhe për këtë arsye ai ka ndërhyrë personalisht për të imponuar një imam të kontrolluar nga Ankaraja. Ky është një veprim që synon të sfidojë direkt institucionet tona dhe të vendosë Shqipërinë nën kontrollin e tij, jo vetëm politik, por tashmë edhe fetar.
A nuk mjafton që Turqia po përpiqet të kontrollojë industrinë dhe ekonominë shqiptare, duke shfrytëzuar uzinat tona ushtarake për prodhimin e armëve dhe dronëve për tregje të huaja? Tani, Erdogani kërkon të shtrijë ndikimin e tij edhe në vendin tonë përmes një agjende të fshehtë, duke shkelur me këmbë çdo nocion të pavarësisë tonë fetare dhe kombëtare. Nuk duhet të habitemi nëse së shpejti Erdogan do të kërkojë që edhe imamët e tjerë në Shqipëri të raportojnë drejtpërdrejt në Ankara!
Ky është momenti që shqiptarët duhet të ngrihen dhe të refuzojnë këtë ndërhyrje të pashembullt. Shqiptarët nuk janë dhe nuk do të bëhen vegël e lojërave politike dhe fetare të Erdoganit. Institucionet tona fetare janë të pavarura dhe duhet të mbeten të tilla. Shqipëria ka një histori të gjatë të bashkëjetesës fetare dhe këtë harmoni nuk mund ta shkatërrojë asnjë përpjekje e Turqisë për të imponuar figurat e saj në krye të komuniteteve tona.
Erdogani ka shtyrë për vite inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë, duke e lidhur atë me zgjedhjet në KMSH. Tani, pas fitores së Bujar Spahiut, presidenti turk ka vendosur të kalojë në veprime të drejtpërdrejta për të sjellë një figurë nga radhët e tij. Ky është një mesazh i qartë se ai nuk e respekton KMSH-në dhe kërkon ta përdorë Shqipërinë si një bazë të re për axhendën e tij politike dhe fetare.
Shqipëria duhet t’i dërgojë një mesazh të fortë Erdoganit: Nuk mund të vendosësh këtu! Komuniteti Mysliman Shqiptar është i pavarur dhe nuk do të pranojmë asnjë formë ndërhyrjeje të huaj në çështjet tona fetare. Kjo nuk është çështje fetare, por kombëtare. Shqiptarët kanë luftuar për shekuj për të ruajtur pavarësinë dhe dinjitetin e tyre, dhe nuk do të lejojmë që kjo të ndryshojë tani, për shkak të ambicieve të një lideri që dëshiron të kontrollojë çdo aspekt të jetës në Ballkan.
Koha ka ardhur që të kundërshtojmë hapur çdo përpjekje për të minuar pavarësinë tonë fetare dhe kombëtare. Shqiptarët janë popull krenar dhe nuk do të lejojnë që Erdogan të vendosë agjendën e tij në vendin tonë!
FAQJA KRYESORE VENDI DHE RAJONI Erdogan zgjat dorën e Ankarasë mbi KMSH: Përpjekje për të uzurpuar sovranitetin...