Në vitet e fundit, shpenzimet mujore të familjeve shqiptare për sektorin e hoteleve dhe restoranteve kanë shënuar një rritje të ndjeshme, sipas analizës së “Scan Intel.” Duke shqyrtuar të dhënat nga viti 2019 deri në vitin 2023, vërehet një rritje prej 2.5 pikë përqindje në peshën e këtij grupi në totalin e shpenzimeve të familjeve shqiptare. Në vitin 2019, ky grup zinte 4.9% të shpenzimeve totale, ndërsa në vitin 2023 kjo përqindje u rrit në 7.4%, duke reflektuar rikthimin e fuqishëm të turizmit pas pandemisë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se shpenzimet mujore për familjet shqiptare në vitin 2023 për këtë grup arritën në 6,755 lekë, një rritje prej 2,700 lekësh në muaj krahasuar me vitin 2019. Në terma vjetorë, një familje e përbërë nga 3.7 persona shpenzoi mesatarisht 81 mijë lekë për restorante dhe hotele në vitin 2023, nga 47 mijë lekë pesë vite më parë.
Bazuar në numrin e familjeve në Shqipëri, që sipas Censit 2023 arriti në 755,950, vlerësohet se shqiptarët shpenzuan gjithsej rreth 62 miliardë lekë për restorante dhe hotele gjatë vitit 2023, një rritje prej 67% krahasuar me vitin 2019. Kjo rritje përkthehet në rreth 620 milionë euro, ose 247 milionë euro më shumë se pesë vite më parë.