Atentat në Shkodër/ Dyshohet për 4 viktima, mes tyre një çift bashkëshortësh që po ktheheshin nga puna

0

Masakra në Shkodër: 4 viktima, përfshirë çiftin që po kthehej nga puna

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik” në Dobraç, ku rreth orës 15:50 është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në të cilin udhëtonin shtetasit H. L. dhe A. B. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën H. L., ndërsa A. B. ka mbetur i plagosur rëndë.

Sipas burimeve, automjeti që po udhëtonin H. L. dhe A. B. ka humbur kontrollin pas sulmit dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë ku ndodheshin shtetasi B. B. dhe bashkëshortja e tij, Flutra Basha. Fatkeqësisht, nga kjo përplasje ka ndërruar jetë Flutra Basha, ndërsa bashkëshorti i saj, B. B., ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Çifti fatkeq po kthehej nga një ditë e zakonshme pune kur u gjend papritur në mes të një sulmi të përgjakshëm.

Policia dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, së bashku me dy grupe të Repartit Special “RENEA” për të ndihmuar në operacion. Një grup i posaçëm hetimor është ngritur, në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Në ndihmë të hetimeve është nisur edhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, i shoqëruar nga specialistë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive në terren, me ngritjen e pikave të kontrollit për të bërë të mundur kapjen e autorëve të dyshuar.

Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin, ku dy viktimat e pafajshme, një çift bashkëshortësh që thjesht po kthehej nga puna, janë prekur rëndë nga dhuna e egër dhe përplasjet mes grupeve kriminale në Shkodër.

Artikulli i mëparshëmBE-ja përballë Kinës: tarifa të ashpra për automjetet elektrike kineze që sfidojnë industrinë evropiane
Artikulli i radhësPrindërit e Alban Bushit humbin jetën tragjikisht në një aksident rrugor në Greqi