Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pranuar se e ka humbur çështjen gjyqësore të ngritur ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në një gjykatë në Paris. Sipas Berishës, gjykata vlerësoi se Blinken gëzon imunitet diplomatik dhe se Berisha, si qytetar i një vendi jashtë BE-së, nuk kishte të drejtën për ta ndjekur çështjen në atë juridiksion.
Në një intervistë për emisionin “Log.” në News24, Berisha u shpreh se pavarësisht vendimit, padia kishte për qëllim ruajtjen e dinjitetit personal dhe kombëtar. Ai theksoi se kishte kërkuar nga Blinken prova për akuzat që e shpallën “non grata”, por imuniteti diplomatik i Sekretarit të Shtetit bllokoi procesin.
Berisha shpreson në administratën e re amerikane
Gjatë intervistës, Berisha shprehu bindjen se administrata e ardhshme e Donald Trump do të korrigjojë vendimin e shpalljes “non grata” dhe do të ndalojë atë që ai e quajti “goditje puçiste” nga grupet anti-demokratike. Sipas tij, standardet e lirisë dhe demokracisë në SHBA dhe në botë do të rikthehen në nivele të reja, duke parandaluar praktikat korruptive dhe censurën.
Berisha kritikoi ashpër prokurorët dhe gjykatësit në SHBA, duke pretenduar se disa prej tyre kanë ndjekur agjenda të njëanshme politike. Ai theksoi se praktika të ngjashme janë eksportuar edhe në Shqipëri, duke i cilësuar ato si modele të dështuar të drejtësisë.
Reforma të thella dhe ndikimi në Shqipëri
Berisha theksoi rëndësinë e reformave që do të ndërmarrë administrata e re e Trump, duke theksuar se ato do të ndalojnë përhapjen e politikave të ekstremit të majtë në Europë dhe botë. Ai paralajmëroi për një përgjigje të fortë ndaj atyre që kanë shpifur dhe kanë përdorur drejtësinë për qëllime politike.
Në fund, Berisha shprehu optimizëm për të ardhmen e demokracisë, duke besuar se ndryshimet e mëdha në SHBA do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin.