
Mbrëmjen e së premtes, në afërsi të zonës së “Rrugës së Elbasanit”, pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë, është gjetur thika me të cilën dyshohet se është vrarë 14-vjeçari Martin Cani më 18 nëntor. Sipas njoftimit të policisë, bashkë me armën e ftohtë u zbulua edhe çanta e shkollës e 14-vjeçarit të dyshuar si autor i ngjarjes tragjike, ndërsa celulari i tij mbetet ende i pagjetur.
Autoritetet kanë sqaruar se “mjeti prerës” është zbuluar nga një kalimtar në rrugën “Fadil Rada”, pranë ATSH-së.
Ndërkohë, Gjykata e Tiranës, seksioni për të mitur, ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 14-vjeçarin, i cili akuzohet për vrasjen e Martin Canit gjatë një konflikti të ndodhur në ambientet e shkollës “Fan Noli”.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë në shkolla dhe trajtimin e të miturve të përfshirë në ngjarje të tilla të rënda.