Babai i Luisit, djalit të plagosur rëndë gjatë sherrit tragjik te shkolla “Fan Noli” në Tiranë, ku humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani, ka rrëfyer mbi gjendjen shëndetësore të të birit dhe detaje tronditëse të ngjarjes. Ai denoncon publikisht mungesën e mbështetjes së duhur nga institucionet shëndetësore dhe sociale.
Sipas babait të Luisit, i biri ndodhet në intubim pasi thika i ka prekur mëlçinë dhe krahun e majtë pothuajse të paralizuar. Për trajtimin fizik dhe psikologjik të tij, familja po përballon kostot privatisht, pasi spitali nuk ka ofruar as fizioterapi dhe as psikolog.
“Luisi nuk është mirë. Nga reanimacioni ka dalë, por është akoma në stres dhe panik. Krahun e majtë e ka pothuajse të paralizuar dhe po i bëjmë fizioterapi privatisht. Nga spitali nuk kemi as psikolog, as ndihmë tjetër. Mjekët kanë thënë që ndërhyrja e dytë do të shqyrtohet vetëm në varësi të përmirësimit të gjendjes,” shprehet ai.
Babai shtoi se Martin Cani dhe Luisi ishin miq të ngushtë, të pandarë që në fëmijëri, duke ndarë pasionin për sportin dhe notin. Ngjarja tragjike ndodhi pasi Martini kishte kërkuar ndihmën e Luisit, duke i treguar se ishte sulmuar nga një person i rritur në moshë.
Kjo ngjarje ka ngritur shqetësime të mëdha mbi sigurinë e nxënësve dhe ndërgjegjësimin për ndërhyrjet emergjente në sistemin shëndetësor dhe arsimor.
FAQJA KRYESORE VENDI DHE RAJONI Iu plagos djali në sherrin me thika ku vdiq Martini/ Babai Luisit:...