
Protestat kundër ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, vazhdojnë të marrin hov në kryeqytet. Vrasja tragjike e 14-vjeçarit Martin Cani ka ndezur zemërimin e prindërve, mësuesve, dhe qytetarëve, të cilët sot kërkuan edhe një herë me ngulm dorëheqjen e ministres që ka qëndruar më gjatë në kabinetin e kryeministrit Rama.
Protestuesit, të mbledhur për të katërtën herë, marshuan nga shkolla “Fan Noli” drejt Ministrisë së Arsimit, duke theksuar dështimin e institucioneve për të siguruar një ambient të sigurt për nxënësit. Sloganet e tyre kërkonin “kokën” e ministres Manastirliu dhe masa të menjëhershme për të rritur sigurinë në shkolla.
Ndër kërkesat e protestuesve janë: shtimi i psikologëve në shkolla, një raport 1 psikolog për 200 nxënës, qëndrimi i detyrueshëm i nxënësve në shkolla deri në orën 16:00 dhe kontrolli mbi gjuhën e dhunës dhe urrejtjes në rrjetet sociale.
Ndërsa protestat vazhdojnë, kërkesa për dorëheqjen e ministres është shndërruar në një simbol të revoltës kundër dështimit institucional që kulmoi me humbjen e jetës së një të mituri. Manastirliu, e cila ka mbajtur pozicione kyçe në qeverinë Rama për vite, gjendet përballë një vale të madhe presioni publik që kërkon përgjegjësi dhe ndryshime të menjëhershme.