
Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar një marrëveshje partneriteti me kompaninë ajrore Wizz Air, e cila do të jetë sponsor zyrtar dhe njëkohësisht kompania zyrtare e fluturimeve për institucionin e futbollit shqiptar.
Kontrata është firmosur për një periudhë dyvjeçare në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, gjatë një ceremonie ku u prezantua bashkëpunimi mes palëve. Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti Armand Duka dhe përfaqësuesja e kompanisë, Silvia Mosquera.
Sipas drejtuesve të federatës, ky partneritet konsiderohet një hap i rëndësishëm për mbështetjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të futbollit shqiptar, duke forcuar aspektin logjistik dhe organizativ të udhëtimeve të ekipeve kombëtare.
Në fjalën e tij, presidenti Armand Duka e cilësoi Wizz Air si një kompani lidere në tregun shqiptar të fluturimeve dhe një pikë referimi në rajon, duke theksuar se marrëveshja është rezultat i një bashkëpunimi të ndërtuar mbi seriozitet dhe vizion afatgjatë.
Nga ana e saj, përfaqësuesja e kompanisë vlerësoi rëndësinë e këtij partneriteti, duke theksuar angazhimin për të mbështetur sportin dhe për të kontribuar në zhvillimin e futbollit në Shqipëri.
Marrëveshja parashikon që Wizz Air të ofrojë shërbime transporti ajror për ekipet dhe aktivitetet e federatës gjatë dy viteve të ardhshme.
