Në një vend ku lufta e Kosovës nderohet me ceremoni shtetërore, ku pavarësia e saj festohet nga njerëzit dhe politika, dhe ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është simbol i rezistencës dhe sakrificës sublime, vendimet e Armando Dukës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për të ndaluar përdorimin sporadik të simboleve të Kosovës dhe UÇK-së në stadiumet shqiptare, janë një tallje e hapur me historinë dhe krenarinë kombëtare.
Kjo ironi bëhet edhe më e madhe kur simbolika e Adem Jasharit, një figurë e lartësuar në piedestalin e kombit për sakrificën e tij, dhe e UÇK-së, një organizatë e njohur ndërkombëtarisht dhe e përgëzuar për luftën për pavarësi, trajtohet si diçka e turpshme apo e papërshtatshme. A është ky një akt ndëshkimi ndaj tifozëve që zgjedhin të mbajnë shaje apo flamuj me mbishkrimin e UÇK-së, apo një përpjekje për të kënaqur disa agjenda të errëta?
Vendimi i policisë për të konfiskuar këto simbole në stadium, ndërsa Armando Duka e shfaq veten si një “kampion” i mbajtjes së nacionalizmave jashtë fushës së blertë, është një turp i pashoq. Ky personazh “alla tallava”, që ka zaptuar FSHF-në për vite me radhë, përdor këto detaje për të rritur pikët e tij në arenën ndërkombëtare. Për Dukën, kjo është një fasadë për të krijuar imazhin e një lideri modern që mbron futbollin nga tensionet, por në të vërtetë, ky është një manipulim për të fituar favorizime personale.
Por, sa kohë mund të mbajë ngritur këtë fasadë një personazh që mediatikisht është akuzuar për trukime dhe përcaktime rezultatesh? Sa kohë mund të qëndrojë pa u ndëshkuar një lider që është kritikuar për përdorimin e pozitës së tij për përfitime personale? Përgjigjja mbetet në dorën e organeve që kanë për detyrë hetimin dhe ndëshkimin e këtyre abuzimeve.
Në një shoqëri ku sakrifica dhe historia nderohen, sjelljet e Armando Dukës dhe FSHF-së nuk janë vetëm një turp, por një goditje ndaj vetë qenies kombëtare. Ky është momenti kur publiku duhet të ngrihet për të kërkuar që futbolli të mos përdoret më si platformë për agjenda personale, por si një arenë e denjë për të promovuar vlerat dhe historinë e kombit tonë.
FAQJA KRYESORE OPINION Armando Duka dhe tallja me vlerat kombëtare: kur simbolika e Kosovës bëhet...