Europol ka publikuar një deklaratë të re mbi dekriptimin e aplikacionit të koduar Matrix, duke e cilësuar atë si një shërbim “të krijuar nga kriminelët për kriminelët”.
Sipas Europol-it, Matrix ishte një shërbim i avancuar i mesazheve të koduara, i cili u zbulua nga autoritetet holandeze në telefonin e një krimineli që kishte vrarë një gazetar holandez në vitin 2021.
Ky aplikacion ishte i aksesueshëm vetëm me ftesë dhe funksiononte përmes 40 serverëve të shpërndarë në disa vende. Një abonim gjashtëmujor kushtonte nga 1,300 deri në 1,600 euro, duke u ofruar përdoruesve shërbime si video-telefonata, gjurmimi i transaksioneve dhe akses anonim në internet.
Gjatë një periudhe tre mujore, autoritetet monitoruan dhe deshifruan mbi 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë të ndryshme. Mesazhet e përgjuara lidhen me krime të rënda si trafiku ndërkombëtar i drogës, trafiku i armëve dhe pastrimi i parave, sipas Europol-it.
Operacioni u realizua me pjesëmarrjen e autoriteteve nga Holanda, Franca, Lituania, Italia dhe Spanja. Gjatë aksioneve, u sekuestruan 145,000 euro para në dorë dhe gjysmë milioni euro në kriptovaluta, sipas policisë holandeze.
Europol raportoi gjithashtu se kriminelët përdorin si shërbime legjitime me enkriptim fund-në-fund, ashtu edhe platforma kibernetike për të kryer aktivitetet e tyre ilegale. Dekriptimi i Matrix ndjek çmontimin e platformave të ngjashme si Ghost, Exclu dhe EncroChat në vitet e fundit.
“Kriminelët tani përdorin një numër më të madh ofruesish të vegjël dhe teknologji gjithnjë e më komplekse,” deklaroi policia holandeze, duke shtuar se “ata gabimisht besojnë se mund të veprojnë në fshehtësi.”
Operacioni përfshiu veprime në katër vende të ndryshme, me arrestime në Francë dhe Spanjë, kontrolle në banesa në Lituani dhe sekuestrimin e serverëve kryesorë në Francë dhe Gjermani.