Shkurte Fejza reagon ndaj ndalimit të këngës “Mora Fjalë” në stadiumin “Air Albania”

0

Këngëtarja e njohur Shkurte Fejza ka shprehur indinjatën e saj për vendimin e Federatës së Futbollit të Shqipërisë (FSHF) për të mos transmetuar më këngën “Mora Fjalë” gjatë ndeshjeve të kombëtares shqiptare në stadiumin “Air Albania”.

Në një intervistë për “Klan Kosova”, Fejza tregoi se ishte e ftuar të interpretonte këtë këngë më 12 tetor, por që prej asaj dite ka vërejtur një injorim të plotë ndaj saj dhe këngës që lartëson luftën dhe sakrificën e popullit shqiptar. Ajo tha se nuk kishte marrë asnjë falënderim apo mirëseardhje nga organizatorët, ndërsa më vonë kënga është fshirë nga faqet dhe materialet e federatës.

Fejza përmendi edhe emrin e Andi Verçanit, ish-pjesëtar i departamentit të komunikimit në FSHF, duke sugjeruar se ai mund të jetë shkarkuar për shkak se kishte ftuar atë të performonte. “Ndoshta edhe pse bash më ka thirrë mua, e kanë shkarku. Mund të jetë kjo arsyeja,” tha ajo.

Këngëtarja u shpreh e zhgënjyer dhe tha se kjo situatë i dukej si një luftë personale kundër saj, këngës dhe popullit të Kosovës. “Nuk di çka me thanë. Për mu është shumë dëshpëruese. Thojsha, a e kanë me mu, a e kanë me këngën, a e kanë me gjithë Kosovën?” u shpreh ajo.

Fejza gjithashtu kritikoi federatën për investimin në këngë të tjera për të zëvendësuar “Mora Fjalë”, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të eliminuar një simbol të rëndësishëm kombëtar.

Artikulli i mëparshëmMeloni: Marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët, model inovativ që do të funksionojë
Artikulli i radhësArmando Duka dhe tallja me vlerat kombëtare: kur simbolika e Kosovës bëhet e padëshiruar në stadium