Në Maqedoninë e Veriut ka shpërthyer një debat i ashpër për përdorimin e gjuhës shqipe, por zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka shprehur bindjen se të drejtat e fituara nuk mund të suprimohen. Në një deklaratë publikuar në rrjetet sociale, Mexhiti theksoi se qeveria mbetet e përkushtuar për të garantuar dhe avancuar përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, duke i bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe gjakftohtësi.
“Jemi në të njëjtën anë me të gjithë shqiptarët. Askush nuk duhet të ketë dyshime për këtë çështje. Të drejtat e fituara janë të pacënueshme dhe të mbrojtura nga përfaqësuesit e popullit në institucione,” deklaroi Mexhiti.
Ai nënvizoi se qeveria është duke punuar për të gjetur zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme për të adresuar sfidat e krijuara dhe ato të trashëguara. Mexhiti siguroi se institucioni që ai përfaqëson është në koordinim të përhershëm me Parlamentin dhe aktorët shoqërorë për të garantuar frymën e bashkëjetesës që rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit.
Përparimi i përdorimit zyrtar të shqipes
Mexhiti u shpreh se qeveria mbështet të gjitha iniciativat publike që synojnë avancimin e përdorimit zyrtar të shqipes. Ai theksoi se kjo çështje është mbi çdo interes politik apo partiak dhe kërkoi nga të gjitha palët të ruajnë qetësinë në këtë periudhë tensioni.
Debati për gjuhën shqipe vazhdon të mbetet një çështje e rëndësishme në Maqedoninë e Veriut, ndërsa reagimi i qeverisë dhe aktorëve politikë shqiptarë duket vendimtar për ruajtjen e të drejtave dhe marrëveshjeve të arritura.
FAQJA KRYESORE POLITIKË Debati për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut: Mexhiti garanton mbrojtjen e...