
Tre shqiptarë janë arrestuar nga policia britanike brenda një jave, pasi u zbuluan ferma kanabisi me një vlerë të kombinuar prej 2.3 milionë paund. Këto aksione përbëjnë një nga goditjet më të mëdha ndaj rrjeteve të drogës me origjinë shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një nga operacionet, dy shqiptarë, Shpëtim Halili, 36 vjeç, dhe Besim Velija, 63 vjeç, u arrestuan në Channel Street, ku policia gjeti më shumë se 1300 bimë kanabisi në faza të ndryshme të rritjes. Vlera totale e drogës së sekuestruar llogaritet midis 456,960 dhe 1,142,400 paund. Dy të arrestuarit pranuan fajësinë, ndërsa dënimi i tyre është shtyrë deri më 30 dhjetor.
Në një rast tjetër, një 48-vjeçar shqiptar, Petrit Musta, u dënua me 28 muaj burg pasi u kap duke kultivuar 1360 bimë kanabisi në një magazinë të madhe në Skoci. Vlera e drogës së sekuestruar arrinte deri në 1 milion paund. Musta rrëfeu në gjykatë se kishte hyrë ilegalisht në Britani dhe ishte mashtruar për të punuar si “kopshtar” në fermën e kanabisit.
Policia britanike ka deklaruar se kjo është një nga kapjet më të mëdha të drogës në kufijtë skocezë, duke theksuar përpjekjet për të çmontuar rrjetet e trafikimit të drogës. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të zbuluar lidhjet dhe aktivitetet e tjera të mundshme të rrjetit.