Kryeministri Edi Rama ka ripërsëritur vendimin për mbylljen e rrjetit social TikTok në Shqipëri. Në konferencën e fundvitit me gazetarët, ai theksoi se ky hap vjen pas konsultimeve me prindërit dhe përmban një proces të planifikuar që do të zgjasë deri në 8 javë.
“Kemi një situatë që e njihni, lidhur me TikTok-un. Ne nuk lëvizim nga vendimi që kemi marrë. Është një vendim për implementimin e të cilit do të na duhet 6-8 javë sepse teknologjikisht është shumë e rëndësishme kjo kohë,” tha Rama.
Ky vendim është një prej masave më të diskutueshme të qeverisë, duke nxitur debate të shumta në publik dhe rrjete sociale. Përtej mbylljes, pritet të ketë edhe përpjekje për të adresuar ndikimet që kjo masë mund të sjellë në përdoruesit dhe krijuesit shqiptarë të përmbajtjes në TikTok.