Temperaturat e ulëta/ Shqipëria përballet me ndërprerje masive të energjisë elektrike në disa qytete

0

Mbrëmjen e së dielës, disa qytete të mëdha në Shqipëri u përballën me ndërprerje të energjisë elektrike, duke lënë mijëra banorë në errësirë. Qytetet e Fierit, Durrësit, Lushnjës dhe Sarandës raportuan ndërprerje totale të energjisë, ndërsa në Vlorë pati një ndërprerje prej rreth 15 minutash.

Sipas burimeve, shkaku i ndërprerjes ishte një defekt i rëndë në linjat e tensionit të lartë në zonën e Beratit. Burime zyrtare nga Operatorët e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në Fier deklaruan se “kanë rënë linjat 220 kV të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) si në Fier ashtu edhe në Elbasan.”

Ende nuk dihet shkaku i saktë i defektit. Grupet e punës së OST-së dhe OSHEE-së janë në terren për të identifikuar dhe zgjidhur problemin. Derisa të riparohet defekti, furnizimi me energji elektrike do të kalohet nëpër linja dytësore. Nuk është bërë i ditur një afat i saktë për rikthimin e plotë të furnizimit me energji.

Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë shkaktuar shqetësime tek banorët, veçanërisht në kushtet e temperaturave të ulëta që po përjeton vendi. Autoritetet kanë bërë thirrje për durim dhe kanë siguruar qytetarët se po punojnë intensivisht për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës.

Artikulli i mëparshëmTarifa Thumanë-Kashar: A po grabiten qytetarët nga koncensionari i lidhur me qeverinë?
Artikulli i radhësMILIONA EURO TË VJEDHURA NË SHËNDETËSI: Vilma Nushi dhe Ogerta Manastirliu në qendër të akuzave