Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë të bujshme jashtë godinës së SPAK, ka publikuar disa përgjime që sipas tij zbulojnë lidhje të thella mes botës së krimit dhe strukturave të larta të Partisë Socialiste. Objekt i akuzave të tij është ministri Taulant Balla, të cilin Berisha e identifikon si “Tao.”
Sipas Berishës, në një mesazh të datës 10 shkurt 2020, një anëtar i bandës së Elbasanit i kërkonte Ballës arrestimin e kundërshtarëve të tyre politikë në këmbim të garancive për vota gjatë zgjedhjeve. Mesazhi përfshinte një marrëveshje që banda të mos kërkonte më favore publike apo tendera, përveç atyre që ishin rënë dakord më parë.
Berisha pretendon se Taulant Balla kishte vendosur kusht që të merrte garanci për vota në këmbim të realizimit të listës së arrestimeve të kërkuara nga grupi kriminal. Ai akuzon se kjo marrëveshje çoi në arrestimin e disa personave të profilit të lartë, përfshirë Çapjat, në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, për të forcuar pozitat elektorale të Ballës në Elbasan.
“Ky është vetëm një episod i pafund i dosjeve që zbulojnë krimin e organizuar brenda kupolës së Partisë Socialiste,” tha Berisha, duke premtuar publikimin e më shumë të dhënash.
Deklaratat e Berishës kanë shkaktuar reagime të ashpra dhe kërkesa për hetime të plota nga organet e drejtësisë. Ndërkohë, Taulant Balla nuk ka dhënë ende një deklaratë për këtë çështje.
FAQJA KRYESORE POLITIKË A është “Tao” ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla? Berisha plas skandalin brenda...