Një stuhi masive dimërore ka goditur qendrën e SHBA-së, duke vënë 60 milionë banorë nën alarm për kushtet ekstreme të motit. Deri tani, gjashtë shtete, përfshirë Kentakin, Virxhinian, Kansasin, Arkansasin, Misurin dhe Virxhinian Perëndimore, kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, teksa borë dhe akull kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe të vendit.
Rreth 30 shtete amerikane, nga qendra deri në bregun lindor, përfshirë qytetet kryesore si Washington DC dhe Filadelfia, po përballen me pasoja të stuhisë së shkaktuar nga vorbulla polare, një fenomen i ajrit të ftohtë që vjen nga Arktiku. Parashikimet flasin për ndërprerje të mëdha në aktivitetet e përditshme dhe kushte të pamundura drejtimi, që do të zgjasin deri të hënën.
Në disa rajone, autoritetet po përgatiten për një përkeqësim të mëtejshëm të kushteve atmosferike, ndërsa shkollat në shtete si Indiana, Maryland dhe Washington DC kanë anuluar mësimin.
Përveç ndërprerjeve në transportin rrugor dhe mbylljes së institucioneve, stuhi të tilla kanë prekur rëndë edhe sektorin ajror. Sipas platformës FlightAware, të dielën janë anuluar mbi 1,750 fluturime.
Kushtet ekstreme të motit po vënë në provë gatishmërinë e autoriteteve dhe qytetarëve, ndërsa stuhia vazhdon të avancojë drejt lindjes së SHBA-së, duke lënë pas një sërë vështirësish për miliona njerëz.