Pamjet e një akti të rëndë dhune kanë tronditur kryeqytetin, ku Adriatik Roshi, 48 vjeç, është rrahur barbarisht nga katër persona të maskuar në një berberhane në rrugën “29 Nëntori”. Ngjarja ka ndodhur më 5 janar dhe është regjistruar nga kamerat e sigurisë së vendit.
Në video shfaqen katër agresorë, të armatosur me sende të forta si shkopinj dhe një sëpatë, të cilët sulmojnë brutalisht viktimën, ndërsa dy persona të tjerë qëndrojnë jashtë për të mbajtur roje. Adriatik Roshi ndodhet aktualisht në spital nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Policia ka arrestuar deri më tani dy persona, Gani Koçeku (24 vjeç) dhe Ledio Tusha (31 vjeç), ndërsa katër të tjerë, Luçiano “Tur” Koçeku, Gëzim, Ronald dhe Dino (Abedin) Koçeku, janë shpallur në kërkim.
Burime nga policia tregojnë se konflikti ka pasur motive të dobëta dhe dyshohet se lidhet me një përplasje të ndodhur më 24 gusht të vitit të kaluar në Palasë, ku Luçiano Koçeku ishte sulmuar në një lokal nate.
Kjo ngjarje ka ngjallur indinjatë të madhe në komunitetin lokal, ndërsa autoritetet janë në kërkim të agresorëve të tjerë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të vënë drejtësinë në vend. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar motivet e plota të këtij sulmi të dhunshëm.