Politico: Ndalimi i TikTok-ut, abuzim me pushtetin! Po shqyrtohet nga BE

0

Embargoja e planifikuar mbarëkombëtare ndaj TikTok është një “shpërdorim i pushtetit” dhe do të shtypë lirinë e fjalës, paralajmëron opozita.

Nga Eliza Gkritsi dhe Jakob Weizman, POLITICO

Nuk është vetëm Uashingtoni apo Bukureshti. Shqipëria po vjen me një ndalim të ri për TikTok – një lëvizje që mund të shqyrtohet nga Brukseli, ndërsa vendi po punon për të pastruar pengesat në mbrojtjen e të drejtave civile për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Kryeministri Edi Rama njoftoi në fund të dhjetorit se do të “bllokojë TikTok-un për një vit”. Vendimi i tij u nxit nga zemërimi për vrasjen me thikë të një 14-vjeçari në nëntor pas një sherri që adoleshenti pati në mediat sociale. Pas goditjes me thikë, në TikTok u shfaqën video që tregonin të rinjtë duke shprehur mbështetje për vrasjen.

Vendimi bazohet në një “model shumë shqetësues” në TikTok, tha Rama në komentet me shkrim për POLITICO – dhe prek shqetësimet në rritje se si media sociale ndikon në shëndetin mendor dhe sigurinë e të rinjve.

Por ndalimi ka ngritur pikëpyetje midis politikanëve të opozitës dhe vëzhguesve të të drejtave të njeriut.

“Është një akt i pastër elektoral dhe një shpërdorim i pushtetit për të shtypur lirinë e fjalës në Shqipëri”, tha Ina Zhupa, një deputete e opozitës shqiptare.

Ruslan Stefanovlan, drejtor programi në Qendrën për Studimin e Demokracisë me qendër në Sofje, tha se bërja kurban e TikTok-ut për tragjedinë “është një veprim tipik populist”. Mungesa e procesit të rregullt ose provave të forta që mbështesin ndalimin e planifikuar është emblematike e korrupsionit sistemik të vendit dhe dobësive institucionale, tha Stefanovlan.

Një zëdhënës i TikTok tha se nuk kishte gjetur “asnjë provë që autori ose viktima kishte llogari të TikTok dhe raportet e shumta në fakt kanë konfirmuar që videot që çuan në këto incidente po postoheshin në një platformë tjetër, jo në TikTok”.

Ndalimi i planifikuar i TikTok ka të ngjarë të tërheqë vëmendjen në Bruksel, ku zyrtarët e Bashkimit Evropian po vlerësojnë respektimin e Shqipërisë për standardet e BE-së për sundimin e ligjit dhe liritë themelore.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha në një deklaratë se ekzekutivi i BE-së kishte “marrë dijeni” për planin e Shqipërisë për të bllokuar TikTok dhe e quajti atë “një vendim sovran”.

“Në BE”, theksohej në deklaratë, “çdo ndalim i shërbimeve dixhitale mund të konsiderohet si mjeti i fundit dhe i lidhur me një shkelje të detyrimeve të ligjit për transparencën dhe llogaridhënien, jo si përgjigje ndaj çështjeve individuale dhe pjesëve të përmbajtjes në internet”.

BE po kryen hetimin e vet sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale, “përfshirë në lidhje me vlerësimin dhe zbutjen e rrezikut për mirëqenien fizike dhe mendore të përdoruesve”, shtoi zëdhënësi.

Komisioni Evropian aktualisht po vlerëson sundimin e ligjit dhe të drejtat civile në Shqipëri me një sy drejt pranimit të saj në BE – një nga synimet më të mëdha politike të Ramës.

Shqipëria ka qenë një vend kandidat për në BE që nga viti 2014 dhe zyrtarisht hapi procesin e saj të anëtarësimit në vitin 2022, me raundin e parë të negociatave që u zhvillua tetorin e kaluar. Rama synon anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.

Rama këmbëngul se ndalimi i TikTok nuk ishte provokuar nga një “incident i vetëm”, por ishte në përputhje me atë që dëshironin shumica dërrmuese e prindërve; dhe ishte pjesë e një plani më të gjerë për t’i bërë shkollat më të sigurta që u zhvillua së bashku me shkollat, mësuesit dhe prindërit.

Zyra e Ramës nuk dha detaje teknike se si dhe kur do të zbatohet ndalimi. Kryeministri tha në dhjetor se qeveria e tij kishte bërë “të gjithë kërkimin teknologjik” dhe do të duheshin gjashtë deri në tetë javë për të siguruar që TikTok të mos ishte më i aksesueshëm në Shqipëri.

“Liria e fjalës dhe mundësitë e marketingut nuk do të pushojnë së ekzistuari pa TikTok”, tha Rama për POLITICO.

Artikulli i mëparshëmDëshmia tronditëse e Arjon Hasajt për vrasjen e Ramazan Matajt: Një histori hakmarrjeje dhe tradhtie
Artikulli i radhësErmal Hoxha paraqitet në SPAK për dosjen “Xibraka”