
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku Artan Kaja, një sipërmarrës 52-vjeçar, është gjetur i pajetë mbrëmjen e së martës në ambientet e kompanisë Smurfit, Lunata. Fillimisht, dyshohej se vdekja kishte ardhur për shkaqe natyrale, por hetimet zbuluan një të vërtetë tronditëse: Kaja ishte vrarë me armë zjarri.
Policia italiane ka arrestuar një bashkatdhetar të viktimës si të dyshuar për vrasjen, ndërsa hetimet vazhdojnë intensivisht për të gjetur armën e krimit. Trupi i pajetë i biznesmenit u gjet nga gruaja e tij, e cila kishte alarmuar autoritetet pasi ai nuk ishte kthyer në shtëpi.
Artan Kaja ishte pronar i një kompanie për trajtimin e paletave dhe punonte si kontraktor në Smurfit. Kthesa dramatike në hetime ka ngritur shumë pikëpyetje mbi motivet e vrasjes dhe rrethanat e ngjarjes. Karabinierët e njësisë hetimore po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjithë skemën.
Kjo ngjarje ka shkaktuar tronditje në radhët e komunitetit shqiptar në Itali dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave vendase.