Ferri quhet Los Angeles: 130 mijë njerëz lënë shtëpitë e tyre prej zjarreve masive

0

Zjarret masive që kanë pushtuar zonat më piktoreske të Los Angeles kanë detyruar 130 mijë banorë të evakuohen. Deri tani, janë raportuar pesë viktima dhe mijëra struktura të shkatërruara, ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen për shkak të erërave të forta.

Një nga zjarret më të mëdha është në lagjen e pasur Pacific Palisades, ku shumë të famshëm janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre luksoze, disa prej të cilave janë kthyer në rrënoja. Kryebashkiaku i Los Angeles, Karen Bass, ka konfirmuar se mbi 1,000 struktura janë shkatërruar dhe se shkollat e prekura kanë pësuar dëme të mëdha.

Zjarri në Palisades është cilësuar si një nga më shkatërruesit në historinë moderne të qytetit. Zjarrfikësit dhe ekipet ajrore nga e gjithë Kalifornia po punojnë për të frenuar flakët, por erërat e fuqishme vazhdojnë ta bëjnë situatën më të vështirë.

Imazhet nga vendngjarja tregojnë shtëpi të rrafshuara, pishina të mbushura me blozë dhe automjete të shkrira nga temperaturat e larta. Ndërkohë, zona si Hollywood Hills dhe Santa Monica janë ende nën urdhra evakuimi, ndërsa zjarret vazhdojnë të kërcënojnë banorët.

Dëmet materiale dhe humbjet njerëzore janë një tragjedi që ka tronditur Kaliforninë dhe mbarë botën. Në përditësim…

Artikulli i mëparshëmRama kundër akuzave: Ulja e çmimit të energjisë nuk është për zgjedhje
Artikulli i radhësSPAK kërkon konfiskimin e pasurive të një organizate kriminale ndërkombëtare