Kryepeshkopi Anastas në gjendje kritike pas një operacioni urgjent

0

Gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas, është në një moment tejet delikat. Kryepeshkopi, 95 vjeç, iu nënshtrua një operacioni urgjent në spitalin “Evangelismos” në Athinë për shkak të një gjakderdhjeje të brendshme.

Sipas ekipit mjekësor, pas ndërhyrjes kirurgjikale laparoskopike, Kryepeshkopi u transferua i intubuar në njësinë e kujdesit intensiv (ICU). Mjekët kanë deklaruar se 48 orët e ardhshme janë kritike për stabilizimin e gjendjes së tij.

Gjendja e Kryepeshkopit u përkeqësua mëngjesin e sotëm, pavarësisht trajtimeve të mëparshme për të kontrolluar gjakderdhjen. Operacioni u krye nga një ekip i specializuar me ndihmën e endoskopisë për të identifikuar dhe trajtuar burimin e gjakderdhjes në zorrën e hollë.

Kryepeshkopi Anastas fillimisht kërkoi trajtim në një spital në Tiranë më 30 dhjetor për shkak të një viroze, por u transferua në Athinë me një avion të posaçëm për kujdes të specializuar në fillim të janarit.

Në këtë moment të vështirë, të gjithë besimtarët dhe dashamirësit e Kryepeshkopit Anastas i bëjnë thirrje Zotit për shërimin e tij të shpejtë dhe për kthimin e tij mes komunitetit që ai ka shërbyer me përkushtim të madh për dekada. Lutemi që Zoti t’i japë shëndet dhe forcë në këtë sprovë të rëndë.

Artikulli i mëparshëmRritet nafta në bursë/ Amerika vendos sanksione të reja ndaj Rusisë
Artikulli i radhësSanksionet për naftën, DASH i përgjigjet Vuçiç: Jo tregti me Rusinë