
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim me shqiptarët në Parma, ka vijuar akuzat e tij të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si “rrezikun më të madh kombëtar” dhe “Çubrilloviçin shqipfolës”.
Berisha: “Rama ka ndërtuar narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë”
Në fjalën e tij, Berisha e ka akuzuar Ramën për shkatërrimin e institucioneve demokratike dhe kapjen e shtetit.
“Në takimin tim në Romë, u thashë shqiptarëve se Edi Rama është rreziku më i madh kombëtar për shqiptarët. Se ai është Çubrilloviçi shqipfolës. Se ka ndërtuar narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, takimet me diasporën shqiptare po dëshmojnë një valë të re entuziazmi, që sipas tij do të çojë në rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Rama.
“Po firmosim përmbysjen e narkoshtetit”
Berisha tha se optimizmi dhe entuziazmi i këtyre takimeve është një sinjal i qartë për fundin e qeverisë aktuale.
“Këto takime po firmosin shpëtimin e Shqipërisë dhe përmbysjen e narkoshtetit. Jo vetëm sepse vota e diasporës është sot më e çmuar se kurrë, por sepse energjia e këtyre takimeve po çon peshë zemrat e shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo në botë”, deklaroi ai.
Ai theksoi se vetëm pesë ditë pas takimit të tij në Romë, në Mynih, zëvendëspresidenti i SHBA-së kishte ngritur shqetësimin për persekutimin e opozitës në Shqipëri.
“Në atë sallë nuk kishte asnjë lider tjetër që kishte arrestuar tre liderë të opozitës si Edi Rama. Asnjë që kishte vendosur të censuronte mjetin më të fuqishëm të komunikimit të rinisë, TikTok-un, vetëm sepse të rinjtë shqiptarë nuk i ndaheshin kritikave kundër tij nga mëngjesi deri në darkë”, tha Berisha.
Mesazhi për Diasporën
Në përfundim, kryedemokrati u bëri thirrje shqiptarëve jashtë vendit që të jenë aktivë në zhvillimet politike të Shqipërisë dhe të mbështesin opozitën në përpjekjen e saj për ndryshim.
Takimet me diasporën pritet të vijojnë në disa qytete të tjera të Europës, ndërsa PD po përpiqet të mobilizojë mbështetjen e emigrantëve për zgjedhjet e ardhshme.