
Një incident i rëndë me sfond kërcënimesh dhe presioni ndaj një funksionari të drejtësisë është zbardhur nga hetimet e Prokurorisë së Fierit, çka çoi në ndalimin e shtetasit Arben Isufaj, i njohur ndryshe si Ben ‘Qimja’.
Sipas dosjes hetimore, noteri Arben Tahiraj është përballur me një skenë tensionuese kur Isufaj, i shoqëruar nga nipi dhe djali i tij, e tërhoqi në një zonë më të izoluar pranë noterisë së tij dhe e kërcënoi me fjalët: “Do t’ju vras të dyve”, duke iu referuar atij dhe gjyqtarit Vladimir Cjapi.
Në deklaratën e tij, noteri tregon se kërcënimet ishin të qarta dhe të drejtpërdrejta, duke përfshirë edhe një mesazh për gjyqtarin Cjapi: “Do ta zhduk, do i vras fëmijët”. Këto deklarata, të mbështetura edhe nga pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë, përforcuan provat ndaj të dyshuarit.
Pas konfirmimit të këtyre provave, më 17 Shkurt, gjyqtari Vladimir Cjapi e denoncoi rastin te eprorët e tij, ndërsa më pas u depozitua edhe një kallëzim zyrtar në Prokurori. Bazuar në këto fakte, Prokuroria e Fierit urdhëroi ndalimin e Arben Isufajt për kanosje për shkak të detyrës.
Ky zhvillim ka nxitur shqetësime për nivelin e presionit që ushtrohet mbi zyrtarët e drejtësisë në vend, duke vënë në pah ndikimin e grupeve të fuqishme që synojnë të ushtrojnë ndikim mbi vendimmarrjet ligjore. Autoritetet thonë se hetimet për këtë rast do të vazhdojnë për të vlerësuar nëse kërcënimet lidhen me ndonjë çështje gjyqësore të caktuar dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.