Të shtëna para gjykatës në Gjermani: Hakmarrje për boksierin shqiptar?

0

Bielefeld, Gjermani – Një incident i rëndë ka ndodhur jashtë ambienteve të gjykatës në Bielefeld, ku po zhvillohej gjyqi për vrasjen e boksierit shqiptar Besar Nimani. Persona të armatosur hapën zjarr, duke plagosur të paktën tre persona, përfshirë babanë dhe vëllain e të akuzuarit për vrasjen e tij.

Sipas mediave gjermane, të shtënat ndodhën rreth orës 13:30, pas përfundimit të seancës gjyqësore. Një makinë e zezë u afrua pranë gjykatës dhe nga brenda saj u qëllua në drejtim të familjarëve të të akuzuarit Hyseyin Akkurt. Babai i tij u godit në mushkëri dhe ndodhet në gjendje kritike, ndërsa vëllai u plagos në këmbë. Një person i tretë, identiteti i të cilit ende nuk është konfirmuar, gjithashtu ka mbetur i plagosur.

Masa të rrepta sigurie në qytet
Pas të shtënave, policia gjermane ka blinduar qytetin dhe një operacion i madh po zhvillohet për kapjen e autorëve. Njëri prej tyre është arrestuar, ndërsa tjetri është ende në arrati dhe dyshohet se mund të jetë fshehur në një pallat pranë gjykatës. Helikopterët dhe forcat speciale po monitorojnë zonën për të shmangur një tjetër përshkallëzim të situatës.

Dyshime për hakmarrje
Incidenti ka ngritur dyshime për një akt hakmarrjeje të lidhur me vrasjen e Besar Nimanit, i cili u ekzekutua me 16 plumba më 9 mars 2024. Dy të dyshuar për vrasjen e tij, Hyseyin Akkurt dhe Aymand Dawoud Kirit, janë në proces gjyqësor, por ky i fundit ndodhet ende në arrati.

Autoritetet po hetojnë nëse sulmi i sotëm është një akt hakmarrjeje për vdekjen e boksierit shqiptar, apo një përpjekje për të ndikuar në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Bielefeld.

Artikulli i mëparshëmRasti Gëllçi: Mjeti i Ramës për të sulmuar SPAK dhe standardet e dyfishta me rastin Beleri
Artikulli i radhësKërcënimi ndaj noterit dhe gjyqtarit: Prokuroria e Fierit shpall në kërkim ‘të fortin’ e qytetit