
Tiranë – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një “tërmet politik” dhe ka kërkuar një ligj për desorosifikimin e Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij në parlament, ai tha se zhvillimet e fundit në SHBA kanë sjellë një ndryshim të madh politik që nuk mund të anashkalohet nga mazhoranca socialiste.
“Siç e shihni, një tërmet i madh politik ka ndodhur në botë dhe ju nuk mund të bëni të paditurin. Nuk mund të fshiheni sepse ky tërmet ka pasur pasqyrime apo reflektimin më të madh pas SHBA-së në Shqipëri,” tha Berisha, duke aluduar për ndikimin e rrjetit të George Soros në vend.
Ai shtoi se në SHBA po ndërmerren hapa konkretë për të çrrënjosur ndikimin e Sorosit, ndërsa mazhoranca në Shqipëri vazhdon të mbajë në fuqi politikat dhe aktet e tij.
Akuza për ndikim në drejtësi
Berisha iu referua dëgjesës së fundit në Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë në SHBA (DOGE), ku u raportua se fondet e USAID janë përdorur për të mbështetur reformën në drejtësi në Shqipëri, e cila, sipas tij, ka pasur si objektiv eliminimin e opozitës.
“Fondacioni Shoqëria e Hapur i Soros dhe USAID financuan së bashku Institutin Lindje-Perëndim. Mes gjërave të tjera, ky institut prezantoi ndryshime në sistemin e gjykatave në Shqipëri, që rezultuan në burgosjen e liderit të opozitës dhe asgjësimin e oponencës së kryeministrit socialist Edi Rama,” tha Berisha.
Ligji për desorosifikimin në Shqipëri
Ish-kryeministri paralajmëroi se sapo opozita të vijë në pushtet, do të miratojë një ligj për desorosifikimin, i cili sipas tij do të ketë të njëjtën peshë me ligjin për dekomunistizimin.
“Është më mirë të bëhet tani sesa kur ta bëjmë ne pas zgjedhjeve, sepse atëherë do të thoni se po ju persekutojmë. Por unë ju garantoj se do ketë të njëjtën peshë me ligjin që do bëhet për dekomunistizimin,” përfundoi ai.
Mazhoranca ende nuk ka dhënë një reagim të drejtpërdrejtë mbi kërkesën e Berishës për një ligj të tillë, ndërsa debati mbi ndikimin e Sorosit në Shqipëri mbetet një temë e nxehtë politike.