
Tiranë – Kryeministri Edi Rama ka anashkaluar një pyetje të drejtpërdrejtë nga ndjekësit e tij në rrjetet sociale mbi lidhjet e tij me George Soros dhe zhvillimet e fundit në SHBA.
Një komentues e pyeti Ramën për raportet e tij me miliarderin dhe ndikimin e tij në Shqipëri, por kryeministri u përgjigj duke sulmuar opozitën, të cilën e quajti “këneta”, dhe shmangu dhënien e një përgjigjeje konkrete:
“Çfarë do të dish për lidhjet me Sorosin apo ta kanë marrë trurin peng këneta? Do ta shihni dhe Amerikën dhe mbështetjen e Amerikës. Siç e keni parë, por jua ka dobësuar kujtesën këneta. Ju kujtohet kur Donald Trump mori mandatin e parë dhe më thanë ik vetë se do të vijë Trump të marrë zvarrë. E patë se si vazhdoi,” tha Rama.
Komentet e tij vijnë në një moment kur ndikimi i rrjetit Soros në Shqipëri është kthyer në një debat të nxehtë politik, pas raportimeve se fondet e USAID-it janë përdorur për të ndikuar në sistemin e drejtësisë dhe për të persekutuar opozitën, sipas disa kritikëve amerikanë.
Megjithatë, Rama nuk pranoi të komentojë drejtpërdrejt mbi këto akuza, duke zgjedhur një qasje ironike dhe duke e zhvendosur vëmendjen tek mbështetja e SHBA-së për qeverinë e tij.
Debati mbi ndikimin e Sorosit në Shqipëri dhe lidhjet e tij me liderët politikë mbetet i hapur, ndërsa qeveria shqiptare nuk ka bërë një deklaratë të qartë mbi rolin e fondacioneve të tij në proceset politike dhe ekonomike të vendit.