
Shkodër – Detaje të reja dalin nga ngjarja e rëndë e ndodhur këtë të enjte në fshatin Guci e Re. Viktima, Pavlin Preka, një 20-vjeçar që jetonte i vetëm, u gjet i vdekur në oborrin e shtëpisë së tij, duke ngritur dyshime për një vrasje me armë zjarri.
Sipas burimeve, ishte xhaxhai i tij ai që e gjeti trupin e pajetë, pasi nuk kishte mundur ta kontaktonte në telefon dhe vendosi të shkonte në banesën e tij për të kontrolluar.
Hetimet në vijim
Policia u njoftua menjëherë dhe mbërriti në vendngjarje rreth orës 14:50, së bashku me grupin hetimor dhe ekipet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.
Sipas informacioneve zyrtare, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, dokumentimin ligjor dhe identifikimin e autorit/ve të dyshuar.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e zonës, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë pista të ndryshme për të zbuluar motivin e mundshëm të vrasjes.