Shqipëria mbyll TikTok për 12 muaj, opozita kundër – Jehonë në mediat ndërkombëtare

0

Vendimi i qeverisë shqiptare për të mbyllur për 12 muaj aksesin në TikTok, me arsyetimin se platforma nxit dhunën dhe bullizmin, ka marrë vëmendjen e gjerë të mediave ndërkombëtare.

CNN: Qeveria shqiptare e akuzon TikTok-un për ndikim negativ tek të rinjtë

Sipas CNN, qeveria shqiptare argumenton se TikTok ka ndikuar negativisht tek fëmijët dhe të rinjtë, duke sjellë raste të dhunës fizike. Media amerikane citon ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila deklaroi se Shqipëria është në kontakt me TikTok për vendosjen e filtrave, si kontrolli prindëror, verifikimi i moshës dhe përfshirja e gjuhës shqipe në aplikacion.

Në raportin e CNN, thuhet se qeveria shqiptare e justifikoi këtë vendim pas një rasti tragjik në nëntor 2024, kur një adoleshent goditi me thikë për vdekje një bashkëmoshatar pas një konflikti të nisur në TikTok. TikTok nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare, por më parë kompania është shprehur se nuk kishte prova që incidenti kishte lidhje me platformën dhe se materialet që çuan në këtë ngjarje ishin shpërndarë në një rrjet tjetër social.

France 24: Rama në dialog me TikTok për filtra të rinj sigurie

France 24 citon një postim të kryeministrit Edi Rama, i cili shprehet se qeveria shqiptare ka nisur një dialog pozitiv me TikTok. Ai paralajmëroi masa të reja sigurie, të cilat do të diskutohen gjatë një takimi me përfaqësues të platformës.

Por France 24 gjithashtu thekson se ky vendim është kritikuar nga opozita, e cila pretendon se ndalimi i TikTok-ut është një akt censurimi politik në prag të zgjedhjeve të 11 majit.

ANSA: Qeveria shqiptare miraton ndalimin zyrtar të TikTok-ut

Agjencia italiane e lajmeve ANSA shkruan se vendimi për bllokimin e TikTok-ut u paralajmërua që në dhjetor 2024, pas vrasjes së një adoleshenti në Tiranë. ANSA konfirmon se ndalimi do të hyjë në fuqi brenda pak ditësh.

To Vima: Opozita akuzon qeverinë për censurë politike

Mediat greke, përfshirë To Vima, raportojnë pretendimet e qeverisë për arsyet e mbylljes së TikTok-ut, por theksojnë edhe kundërshtitë e opozitës shqiptare. Sipas kryetarit të PD-së, Sali Berisha, ky vendim është një akt i frikës dhe censurës, i cili e vendos Shqipërinë në të njëjtin nivel me Iranin dhe Afganistanin.

ABC News: TikTok nën hetim në disa vende

ABC News raporton se Shqipëria nuk është vendi i vetëm që ka vendosur kufizime ndaj TikTok-ut. Në Shtetet e Bashkuara, platformës iu kërkua të shiste aksionet tek një kompani amerikane, ndërsa Britania e Madhe po heton se si TikTok përdor të dhënat e të miturve.

Opozita shqiptare paralajmëron protestë më 15 mars

Në Shqipëri, opozita ka caktuar datën 15 mars për një protestë kundër ndalimit të TikTok-ut. Sipas opozitës, kjo është një përpjekje e qeverisë për të kontrolluar hapësirën e komunikimit në prag të zgjedhjeve, duke kufizuar lirinë e shprehjes dhe të mendimit.

Vendimi për mbylljen e TikTok-ut ka shkaktuar një debat të gjerë publik dhe politik, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Qeveria e justifikon vendimin me arsyet e sigurisë, ndërsa opozita e konsideron atë një akt të pastër censurimi në prag të zgjedhjeve.

Artikulli i mëparshëmDetaje të reja nga marrëveshja PD-PL: Ilir Meta nuk do të garojë në Tiranë
Artikulli i radhësBushati dhe Noka përplasen në studio për zgjedhjet: “Rama ju ka grirë votat e diasporës, jeni 70-30!”