
Nga një politikan që për vite u pozicionua si figura më e fuqishme në Tiranë pas Edi Ramës, Erion Veliaj tani ndodhet përballë një rënieje të pakthyeshme. Arrestimi, braktisja nga Partia Socialiste dhe dështimi në apel shënojnë fundin e një epoke për një nga figurat më të kontestuara të viteve të fundit në politikën shqiptare.
Mund të thuhet se gjithçka për Veliajn mori një kthesë fatale në momentin kur ai u shfaq me pranga në duar, duke u futur në qelitë e paraburgimit të Durrësit. Ishte një pamje që pak kush e kishte imagjinuar më parë për njeriun që kishte ndërtuar një mit personaliteti rreth vetes. Dikur ai ishte njeriu i projekteve të mëdha, i betonit dhe i fasadave, i ngjeshur pas një makinerie propagande që e paraqiste si liderin e së ardhmes. Sot, ai është një figurë e izoluar, e lënë në mëshirë të drejtësisë dhe pa mbështetje politike.
Braktisja nga Rama dhe PS-ja
Vendimi i Gjykatës së Posaçme për ta lënë në burg Veliajn, nuk ishte vetëm një fitore për SPAK-un, por një mesazh i qartë nga Partia Socialiste. Aty ku dikur shiheshin ministra dhe deputetë që brohorisnin për të, tani kishte vetëm heshtje. Pasi u bë e qartë se Rama nuk kishte ndërmend ta mbronte, njerëzit e Veliajt brenda PS-së u zhdukën, duke e lënë atë të përballej i vetëm me pasojat.
Lista e kandidatëve të PS-së për zgjedhjet e 11 majit ishte goditja finale për të. Aty nuk u pa asnjë nga njerëzit e tij të besuar. Nuk kishte vend për të as në listën e mbyllur, as në atë të hapur, duke e bërë të qartë se Veliaj jo vetëm që nuk do të rikthehet në politikë, por se ai është një kapitull i mbyllur për PS-në.
Një proces i parashkruar
Në sallën e gjyqit, Veliaj e luajti kartën e viktimës politike, duke pretenduar se përgjimet dhe akuzat e SPAK-ut ishin një komplot i ngritur kundër tij. Ai e quajti procesin një kurth të organizuar, duke u ankuar për përgjime që përfshinin edhe bisedat me familjarët e tij. Por realiteti është më i ftohtë se sa mbrojtja emocionale e Veliajt. Provat e SPAK-ut janë konkrete: tentativa për të ndikuar te dëshmitarët, përdorimi i mediave për të goditur drejtësinë dhe përpjekja për të manipuluar hetimin. Këto janë akuza që nuk mund të mbulohen me një letër emocionalisht të mbushur drejtuar publikut.
“Nuk është fundi”, por është?
Në reagimin e tij të fundit nga burgu, Veliaj deklaroi: “Ky nuk është fundi”. Ai premtoi se do të luftojë për të provuar pafajësinë e tij dhe se do të vazhdojë betejën e tij për drejtësi. Por pavarësisht fjalëve të tij, fundi tashmë ka ardhur. Politika është një terren i pamëshirshëm, dhe në momentin që një figurë bie në fatkeqësi, askush nuk kthehet më pas për ta ngritur.
Sot, Erion Veliaj nuk ka më partinë, nuk ka më pushtetin dhe nuk ka më as aleatët e tij mediatikë. Dikur ai kontrollonte skenën politike në Tiranë me një dorë të hekurt, sot ai është vetëm një emër në listën e gjatë të politikanëve shqiptarë që kanë përfunduar në burg pas një kariere të ndërtuar mbi aleanca të përkohshme dhe mbi bindjen se drejtësia nuk do t’i arrinte kurrë.
Historia e tij është një mësim i qartë për të gjithë ata që besojnë se pushteti është i përjetshëm. Në politikën shqiptare, nuk ka pasardhës të garantuar dhe nuk ka liderë të paprekshëm. Sa herë që një figurë përpiqet të ndërtojë një mit personal, realiteti kujdeset që ta shkatërrojë atë në mënyrën më brutale të mundshme.
Erion Veliaj nuk e ka pranuar ende realitetin. Por shumë shpejt, ai do ta kuptojë se rruga e tij politike ka përfunduar. Dhe këtë herë, nuk ka më kthim pas.