
Ish-futbollisti italian Antonio Cassano nuk e ka kursyer kritikat ndaj Rafael Leaos, duke e quajtur portugezin një lojtar pa vizion dhe pa ndikim në fushë. Në emisionin “Viva el Futbol”, Cassano tha se është lodhur duke përsëritur të njëjtin mendim për yllin e Milanit.
“U lodha duke thënë të njëjtat gjëra. Leao shënon herë pas here, prek topin tri herë dhe nuk ka asnjë ide për futbollin. Nuk më pëlqen. Edhe në moshën 26-vjeçare vazhdon të jetë i tillë. Më dërgon mesazhe me fytyra klouni, por unë do të vazhdoj të them të njëjtën gjë pa pushim. Për mua ai është një hu gardhi dhe i tillë do të mbetet,” u shpreh Cassano.
Sipas ish-lojtarit të Milanit dhe Interit, problemi më i madh i Leaos është arroganca dhe mungesa e përgjegjësisë në fushë.
“Nëse Leao do të ishte më modest dhe do të ndihmonte shokët e skuadrës, do bëja sikur nuk i shihja gabimet. Problemi është se ai është fodull dhe mendon se është një fenomen. Nuk është lider, fiton shumë para dhe në ndeshje të rëndësishme nuk është vendimtar.
Cassano përfundoi duke thënë se e vetmja arsye pse Leao nuk është larguar nga Milani është menaxheri i tij:
“Leao duhet të falënderojë ditë e natë menaxherin e tij, sepse trajnerët nuk po e ndryshojnë dot.”
Këto deklarata kanë shkaktuar polemika në rrjetet sociale, ndërsa tifozët e Milanit ndahen mes atyre që mbështesin kritikën dhe atyre që e konsiderojnë Cassanon të ekzagjeruar në opinionet e tij.