
Me lule, lot dhe simbolikën e zhurmës së çelësave, Universiteti Sapienza i Romës mbajti homazhe për Ilaria Sulën, 22-vjeçaren shqiptare që u vra në mënyrë makabre nga ish i dashuri i saj. Trupi i saj u gjet i futur në një valixhe, pak ditë pasi ishte shpallur e humbur.
Mijëra studentë u mblodhën në hyrje të fakultetit për të nderuar kujtimin e Ilarias. Ata morën pjesë në atë që njihet si një “heshtje e zhurmshme”, ku vetëm tingulli i çelësave theu heshtjen – një protestë simbolike kundër dhunës ndaj grave, që po bëhet gjithnjë e më alarmante në Itali.
“Kjo nuk ishte një ngjarje e izoluar, por një femicid,” u tha nga podiumi ku folën miq dhe studentë të saj. Pamjet e siguruara nga “Corriere della Sera” treguan një atmosferë emocionale të thellë, ku fjala më e përmendur ishte “drejtësi”.
Një valë solidariteti ka përfshirë edhe qytete të tjera. Në Bolonja, qindra studentë u mblodhën jo vetëm për Ilarian, por edhe për Sara Campanellën, e cila pak ditë më parë u vra nga një përndjekës në Mesina. Të dyja ngjarjet kanë rikthyer në qendër të debatit nevojën për masa të forta kundër dhunës ndaj grave dhe mungesën e mbrojtjes për viktimat e përndjekjes.