
Kryeministri Edi Rama është nderuar me Medaljen Presidenciale të Nderit nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë. Ky vlerësim i lartë përfaqëson një nga çmimet më të rëndësishme civile të shtetit izraelit, që u akordohet figurave që kanë dëshmuar miqësi të thellë me popullin hebre dhe përkushtim të palëkundur ndaj vlerave demokratike dhe luftës kundër antisemitizmit.
Reagimi i Ramës: “Është një surprizë!”
I emocionuar nga nderimi, kryeministri Rama u shpreh:
“E kam të vështirë të gjej fjalët, duke u përballur me një surprizë të tillë… Ky nder i jashtëzakonshëm nuk mund të jetë vetëm për mua, por e marr në emër të Shqipërisë.”
Në fjalën e tij, Rama theksoi se kjo medalje nderon popullin shqiptar në tërësi – myslimanë e të krishterë – që gjatë Holokaustit shpëtuan jetë hebrenjsh, duke e bërë Shqipërinë të vetmin vend në Evropë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa kishte në fillim të saj.
Vlerësim për Kontributin Historik të Shqiptarëve
Presidenti Herzog në ceremoninë e mëparshme kishte theksuar rolin historik të Shqipërisë si një komb që udhëhiqet nga kodi i “Besës”, duke dhënë mbrojtje dhe strehim për hebrenjtë në kohë të errëta për Evropën. Medalja që iu akordua Ramës përfaqëson edhe mirënjohjen e Izraelit për trashëgiminë e guximit dhe humanizmit që shqiptarët kanë treguar ndër vite.