
Zbardhja e plotë – Faqja 72 e përgjimeve nga CNA
Në faqen 72 të përgjimeve të publikuara nga CNA, del në pah përpjekja e vazhdueshme e Erion Veliajt për të koordinuar një fushatë të organizuar propagandistike nga burgu. Mediat si TOP Channel, Report TV, Klan TV, si dhe portale të njohura, përmenden si pjesë aktive e kësaj lufte komunikimi që ai e quan “Lufta ime”. Ndërkohë, në prapaskenë, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe vëllai Arbër Veliaj përpiqen të “pastrojnë” një audio të dyshuar si provë dëmtuese.
Zbardhja fjalë për fjalë – Faqja 72
Ora 14:47 – Bisedë mes Erion dhe Arbër Veliajt
Erion Veliaj: “Ma bëj një pasqyrë të plotë kush po më mbulon mediatikisht. Cilët televizione po e mbështesin Luftën time?”
Arbër Veliaj: “TOP-i po të mbulon, Report TV po të mbulon, Klani gjithashtu. Klan News ka pak problem.”
Erion Veliaj: “Ka folur Fuga me ta?”
Arbër: “Po, ka folur. Duhet t’i thuash sa mirë ishte Erioni, ishte çdo ditë me ta. Duhet të flasin. Duhet unitet, si në kohën kur bënim eventet me KM-në. Edhe ato postoheshin te Facebook-u i tij.”
Bisedë me Ajola Xoxën
Erion Veliaj: “Po audioja me fjalën ‘ndyrësirë’? U manipulua nga Prokurori Ols Dado?”
Ajola: “Po merremi me transkriptin. Po e pastrojmë zërin.”
Erion: “Mos fol shumë në telefon. Thjesht thuaj që po merresh.”
Ora 15:25 – Bisedë me Arbërin
Erion: “Kam dëgjuar që do më transferojnë në një IEVP tjetër. Flasin për Alkatrazin e Tiranës. High security.”
Arbër: “Kam dëgjuar dhe unë. Po përpiqemi ta ndalojmë këtë gjë.”
Ora 15:33 – Sërish me Ajolën
Ajola: “Po punojmë me transkriptin, do e pastroni audion. S’po jap më shumë detaje.”
Erion për situatën në burg
“Po hapen vende për transferime në burgje të tjera. Po më privohen të drejtat. Është shumë e ndyrë kjo që po bëjnë.”
Ora 16:00 – Interes për audion
Ajola: “E kemi një përgjigje. Po vijon puna me pastrimin e audios së seancës.”
Ora 11:59 – Bisedë për media
Erion: “Fol me Shqiptarja.com, me Temën, bëni intervista çdo ditë. Bëni materiale për portale. Thuaju Karlos, Mirës, nëse bëjnë 5 pyetje, unë i kthej përgjigje. Të publikohen çdo dy-tri ditë intervista pak më të gjata. Nuk kam tjetër mjet për të përballuar këtë që po ndodh.”
Ora 14:18 – Bisedë me Arbërin
Erion: “Pashë lajmin për Thoma Gëllçin. Duhet bërë një Big Deal. Është fiks arrestim i paligjshëm. Jepni vëmendje. Po me porositë e tjera çfarë ndodhi?”
Arbër: “Kam një për orën tre, po merrem.”
Koment
Kjo faqe e përgjimeve tregon qartë se Veliaj, edhe nga qelia, kërkon të administrojë narrativën publike dhe të kontrollojë çdo dalje mediatike, nga titulli deri te përmbajtja e intervistave. Manipulimi i audio-regjistrimeve, mbulimi masiv nga televizione miqësore dhe krijimi i “unitetit propagandistik” janë elemente që flasin për një strukturë të organizuar ndikimi politik dhe mediatik.
Vijon me faqen 73 të përgjimeve të plota.