
Kryetari i Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori, ka shpalosur qëndrimin e tij ndaj oligarkisë në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku u përball me pyetjet e gazetarit Ylli Rakipi mbi atë se si do të vepronte nëse do të vinte në pushtet. Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur debati për kapjen e shtetit dhe pasurive publike nga një grusht njerëzish është rikthyer fuqishëm në diskursin publik.
“Nuk është detyra jonë t’i fusim në burg. Ne do të çmontojmë sistemin që i mban ata në pushtet”, deklaroi Qori, duke shtuar se qeveria dhe parlamenti nuk janë institucione ndëshkuese, por ligjvënëse. Ai u zotua se Lëvizja Bashkë, nëse vjen në pushtet, do të ndërmarrë reforma që shfuqizojnë ligje si ai për investitorët strategjikë, të cilin e cilësoi si një instrument për të “vjedhur pasuritë publike në emër të zhvillimit”.
“Oligarkia është produkt i një pushteti të korruptuar,” u shpreh Qori, duke e krahasuar sistemin me një përbindësh që, ashtu si në filmin e Frankenshtajnit, ka filluar të kontrollojë vetë krijuesin e tij. Sipas tij, ekonomia është kapur nga ndërtues gjigandë që jo vetëm kontrollojnë tregun, por edhe mbajnë në pronësi media për të mbrojtur interesat e tyre.
Ai shtoi se Lëvizja Bashkë nuk kërkon të centralizojë fuqinë, por të fuqizojë drejtësinë e pavarur dhe të çlirojë tregun nga kapja e interesave të mëdhenj ekonomikë. Qori u shpreh gjithashtu se janë kundër dhënies së koncesioneve për shërbime publike, të cilat, sipas tij, rritin korrupsionin dhe rëndojnë buxhetin e shtetit.
Në debat ndërhyri edhe gazetarja Ola Xama, e cila shtroi pyetje për programin ekonomik të Lëvizjes Bashkë, ndërsa Ylli Rakipi insistoi që përgjigjet e Qorit të ishin konkrete dhe të drejtpërdrejta për publikun.
Ndërkohë, Qori theksoi se Lëvizja Bashkë nuk ka nevojë për miliona euro për fushatë, duke ironizuar partitë tradicionale që “ushqehen” nga oligarkët për të mbajtur pushtetin.