BANKAT ABUZOJNË ME SIGURIMET/ Ola Xama: “Fitojnë 4 Milionë Euro Në Vit Nga Qytetarët!”

0

Gazetarja Ola Xama ka ngritur alarmin për një skemë abuzive që, sipas saj, bankat në Shqipëri po zbatojnë sistematikisht ndaj qytetarëve. E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ajo zbuloi se klientët e kredive detyrohen të marrin sigurime jete dhe prone, por përfitimi i vërtetë nuk u shkon qytetarëve, por bankave.

Bankat arkëtojnë rreth 60 milionë euro në vit nga siguracionet dhe mbajnë vetë 25% si brokerë, që përkthehet në afro 4 milionë euro fitim direkt për ta”, deklaroi Xama. Ajo e cilësoi këtë si një abuzim të pastër me pozitën dominuese të sistemit bankar, ku klienti nuk ka mundësi të zgjedhë lirisht kompaninë e sigurimit, por i imponohet nga vetë banka në momentin që firmos një kredi.

“Edhe unë vetë kam refuzuar policën që më ofroi banka dhe kam kërkuar të sjell një tjetër të miratuar. Por shumica nuk e dinë se kanë këtë të drejtë,” – tha ajo. Sipas saj, qytetarët janë të detyruar të paguajnë çdo vit për siguracionin e jetës dhe të pronës pa qenë të informuar për alternativat që kanë dhe pa asnjë transparencë për përfitimet reale.

Xama theksoi se “Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimin jo për shkak të shqetësimeve të qytetarëve, por për shkak të një kompanie sigurimi që ka ngritur zërin për konkurrencë të pandershme.”

Sistemi bankar përfiton miliona në heshtje, ndërkohë që qytetarët i paguajnë këto shuma në emër të detyrimeve që lidhen me kreditë për shtëpi apo biznes. Në shumë raste, qytetarët nuk informohen se mund të zgjedhin kompaninë e sigurimit vetë, por mendojnë se është e detyrueshme ta marrin atë që iu ofron banka.

“Po flasim për një treg që është i mbyllur, i kapur dhe i strukturuar në dëm të konsumatorit. Asnjë institucion nuk ka ndërhyrë realisht për ta ndalur këtë abuzim,” përfundoi gazetarja.


Artikulli i mëparshëmArlind Qori: Nuk Burgosim Oligarkët, Por Do Ua Çmontojmë Pushtetin Me Ligje!