
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar dokumentet e kompanisë supervizore të Tunelit të Llogarasë, pas akuzave të forta të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj ndaj ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Sipas gazetares Klodiana Lala, bëhet fjalë për kompaninë ‘Hill International NV’, e kontraktuar për supervizimin e punimeve të tunelit. Urdhri për sekuestrimin e dokumenteve është firmosur nga prokurori Dritan Prenci, ndërsa po verifikohen të gjitha shërbimet, të ardhurat, kostot dhe kontratat me ministrinë që drejtohet nga Balluku.
Një hetues i BKH-së është caktuar për hetimet, ndërkohë që po analizohen të dhënat kontabël të kompanisë.
Akuzat u hodhën nga Arben Ahmetaj, i cili nga arratia, e cilësoi projektin si “aferë korruptive”, duke pretenduar se tenderi iu hoq kompanisë shqiptare “Gjoka” për t’iu dhënë një kombinimi turk, i cili sipas tij nuk ka sjellë asnjë makineri, por ka faturuar 32 milionë euro fitim të pastër, ndërsa punën e ka bërë nënkontraktori shqiptar.
Ahmetaj theksoi se Balluku është “plaçkitësja më e madhe e buxhetit të shtetit” dhe akuzoi qeverinë për shtyrjen e tenderit nga 140 në 190 milionë euro.
Çfarë ka sekuestruar SPAK?
Dokumentacionin e kompanisë supervizore “Hill International NV”, që ka monitoruar punimet e tunelit të Llogarasë.
Cili është motivi i hetimit?
Hetimi ka nisur pas akuzave të Arben Ahmetajt për abuzime në tender dhe përfitim të padrejtë nga kompania turke.
Kush janë të përfshirë në akuzat?
Belinda Balluku si ministre përgjegjëse, dhe kompania që ka përfituar kontratën sipas Ahmetajt.
Çfarë pretendon Ahmetaj?
Që punimet janë bërë nga një firmë shqiptare, ndërsa kompania turke ka përfituar miliona euro pa sjellë asnjë pajisje.