
India ka mbyllur zyrtarisht hapësirën e saj ajrore për fluturimet nga Pakistani, një vendim që hyn në fuqi nga mesnata e 1 majit dhe do të zgjasë deri më 23 maj. Ky zhvillim vjen në një moment tensioni të lartë ushtarak mes dy shteteve, pas një sulmi të përgjakshëm në rajonin e kontestuar të Kashmirit, ku humbën jetën 26 persona – kryesisht turistë.
Autoritetet indiane po e lidhin këtë sulm me strukturat ekstremiste pakistaneze, ndërsa qeveria e Islamabadit mohon çdo përfshirje. Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif, në një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit Marco Rubio, ka deklaruar se kundërshton kategorikisht akuzat dhe përpjekjet e Indisë për ta implikuar Pakistanin në këtë ngjarje.
Ndërkohë, shërbimet sekrete pakistaneze paralajmërojnë një sulm të afërt nga India, duke ngritur ndjeshëm tonet e retorikës së luftës. Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khavaja Muhammad Asif, ka deklaruar publikisht se forcat e armatosura janë në gjendje gatishmërie të lartë, dhe se përdorimi i armëve bërthamore nuk përjashtohet, por do të ndodhë vetëm në rast kërcënimi direkt për ekzistencën e vendit.
Kjo përshkallëzim i paprecedentë i krizës sjell në vëmendje frikën e një konflikti të hapur mes dy shteteve me arsenale bërthamore, që janë përplasur disa herë në të kaluarën për Kashmirin. Situata aktuale është vlerësuar nga analistët ndërkombëtarë si një nga momentet më të rrezikshme për paqen në rajon gjatë dekadës së fundit.