
Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e djeshme në Vlorë, ku mbeti i vrarë 63-vjeçari Ismail Aliaj. Sipas informacionit paraprak, konflikti fatal ka lindur nga një përplasje e disa ditëve më parë mes djalit të viktimës dhe një prej autorëve të dyshuar, që më pas ka degjeneruar në dhunë fizike me pasoja fatale.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 në rrugën “Gjergj Arianiti”, në lagjen “Pavarësia 3”, ku sipas hetimeve fillestare, tre persona kanë goditur me grushte si të riun 24-vjeçar, ashtu edhe babain e tij 63-vjeçar. Si pasojë e dhunës së ushtruar, i moshuari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka humbur jetën.
Policia ka reaguar menjëherë duke shpallur në kërkim tre persona të dyshuar si autorë të ngjarjes: Anxhelo Ceci, 31 vjeç, Xhafer Ngucaj, 34 vjeç, dhe Eni Hysaj, 23 vjeç, banues në zonën e Vlorës dhe Gjorëmit. Ata dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim, ndërsa motivi i konfliktit paraprakisht cilësohet si për arsye të dobëta.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë referuar materialet në Prokurorinë e Vlorës për veprën penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, forcat e policisë vijojnë operacionin për kapjen e autorëve dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë, që ka tronditur qytetin bregdetar.
