Lista E PS Me Kandidatë Të Hetuar Nga SPAK, Agron Shehaj Sulmon Ramën: Po I Mbron Me Vota

0

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po përdor zgjedhjet e 11 majit për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij të akuzuar për korrupsion. Nga një takim elektoral në Fier, Shehaj deklaroi se listat e PS-së janë të mbushura me emra që janë aktualisht nën hetim nga SPAK, si Ceno Klosi, Olta Xhaçka dhe Plarent Ndreca.

“SPAK i çon të korruptuarit në burg, Rama i fut në listë për t’i shpëtuar me votë”, tha ai. Sipas tij, Edi Rama nuk kërkon votë për të ndërtuar të ardhmen, por për të garantuar mburojë politike ndaj drejtësisë për ata që e kanë ndihmuar në pushtet.

Shehaj përmendi specifikisht rastin e Ceno Klosit, kandidat i PS në Fier, i cili sipas tij, është nën hetim aktiv nga SPAK, ashtu si edhe ministrja Xhaçka, për të cilën Parlamenti refuzoi heqjen e mandatit, duke shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në kontrast me këtë, Shehaj theksoi se kandidatët e Partisë Mundësia nuk kanë pasur poste, privilegje apo skandale, por vijnë nga “puna e ndershme dhe jeta reale.”

Ai kritikoi deklaratat e Ramës kundër partive të reja, duke thënë se frika e tij është nga ndryshimi:
“Rama thotë se nuk duhen parti të treta sepse i trembet ndryshimit. Ai kërkon të mbajë të vjetrit në lojë me rotacion korrupsioni.”

Në përfundim, Shehaj deklaroi se Partia Mundësia është tashmë forca e tretë në rang kombëtar, por ambiciet e saj janë më të mëdha:
“Ky është vetëm fillimi. Ne do të jemi partia e parë. Dhe kur të vijë ajo ditë, Edi Rama nuk do ketë më vend në politikë.”

Partia Mundësia, e cila garon për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit, mban numrin 10 në fletën e votimit.

Artikulli i mëparshëmBorxhi Në “IuteCredit” I Çoi Në Krim: Pengmarrje Për 2 Milion Lekë, Burg Për 6 Autorët
Artikulli i radhësEkstradohet Florenc Çapja, Pamjet Kur Zbret në Rinas Mes Masave të Forta Të Forta Të Sigurisë