
48 Orë Pa Asnjë Shenjë të Ardit Beshirit – Familja Kërkon Ndërhyrje Urgjente të Shtetit
Kanë kaluar më shumë se 48 orë nga tragjedia në një fabrikë përpunimi kromi në Qafën e Burrelit, ku 29-vjeçari Ardit Beshiri u zhduk nën një masiv dheu, teksa po punonte me një eskavator. Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa kërkimet vazhdojnë me ritme të ngadalta dhe me mjete primitive.
Ushtria, banorët dhe punonjësit po kërkojnë ende trupin e të riut, por familjarët kanë ngritur alarmin se mungojnë pajisjet e nevojshme për operacione shpëtimi në terrene të thella dhe të thyera.
“Po kërkojnë me lopata, është e pamundur,” – thotë babai i Arditit, me lot në sy.
“Vetëm një gisht po të gjej, që ta çoj në shtëpi… Kjo është më e rënda që mund t’i ndodhë një prindi,” – apelon ai, duke kërkuar ndihmë nga shteti dhe dërgimin e makinerive të specializuara dhe qenve kërkues për të gjetur trupin.
Terren i pamundur dhe mungesë aparaturash
Sipas kushëririt të të ndjerit, Mevlan Taraj, vendi ku ndodhi shembja është i paarritshëm për mjete të zakonshme, ndërsa ai shton se një kompani turke posedon pajisjet e duhura, por nuk është angazhuar ende.
“Nuk mund ta gjejmë trupin me forca vullnetare. Është katastrofë. Ledha ka arritur në 8 km larg. Janë gjetur vetëm copa të fadromës,” – shprehet ai për mediat.
Drejtuesi teknik në pranga
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Shtetit ka ndaluar Ademir Lala, drejtues teknik i subjektit ku ndodhi aksidenti, për shkelje të rregullave të sigurisë teknike në punë.
Ngjarja ka sjellë në vëmendje mungesën e protokolleve të sigurisë në miniera dhe zonat e nxjerrjes, ku jeta e punonjësve shpesh vendoset në rrezik për shkak të neglizhencës dhe mungesës së infrastrukturës.
Çfarë ndodhi në Klos?
Një masiv dheu u shemb mbi fadromën që po manovrohej nga Ardit Beshiri në një fabrikë kromi. Që atëherë, ai rezulton i zhdukur.
Pse kërkimet po vonojnë?
Zona është e thellë dhe e thyer. Përdoren vetëm lopata dhe duhen makineri të specializuara për të depërtuar në masën e dheut.
Ka përgjegjës?
Drejtuesi teknik i subjektit është ndaluar nga policia për mungesë të masave të sigurisë.
Çfarë kërkon familja?
Dërgimin e pajisjeve të specializuara, qenve kërkues dhe ndihmën konkrete të shtetit për të gjetur trupin e Arditit.