
Vetëm pak ditë pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, Gjykata e Lartë ka pranuar rekursin e Arbër Veliajt, duke rrëzuar vendimin e Apelit të Posaçëm që kishte miratuar sekuestrimin e materialeve dhe kontrollet e ushtruara në banesën dhe zyrën e tij.
Vendimi i gjyqtarëve Albana Boksi, Medi Bici dhe Sokol Binaj rikthen çështjen në Apel për rigjykim nga e njëjta trupë gjykuese, duke hedhur hije dyshimi për një lëvizje të sinkronizuar me ndryshimin e klimës politike.
Arbër Veliaj kishte kundërshtuar sekuestrimin e kryer nga BKH me urdhër të SPAK, në dhjetor 2024, në kuadër të hetimeve për vëllain e tij, Erion Veliaj, që ndodhet aktualisht në paraburgim.
Në të njëjtën ditë u sekuestrua edhe telefoni i Ajola Xoxës, e cila është në masën e “detyrimit për paraqitje”. Ndërkohë, hetimi për çështjen “Veliaj” përfshin edhe emra të njohur të biznesit si Elman Abule, Shkëlqim Fusha, Meriman Palushi, Sokol Kryeziu, Fatmir Bektashi dhe Gentian Sula.
Vendimi i Gjykatës së Lartë, i ardhur menjëherë pas fitores së PS, po interpretohet gjerësisht si një sinjal politik i kthimit të balancave në favor të pushtetit, duke shtuar akuzat për ndërhyrje të mazhorancës në drejtësi dhe minim të besueshmërisë së sistemit gjyqësor.