
Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë të diel fshatin Suk 2 në bashkinë Roskovec, ku një vajzë vetëm 4 vjeçe ka humbur jetën pasi është zënë poshtë nga shembja e një muri rrethues pranë banesës së saj.
Sipas informacioneve paraprake, vogëlushja, e bija e shtetasit L. T., po luante pranë murit të oborrit kur struktura e ndërtuar është shembur papritur, duke e zënë për poshtë. Të pranishmit kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë, por përpjekjet kanë qenë të kota.
Ambulanca dhe forcat policore mbërritën menjëherë në vendngjarje, por vajza ishte tashmë pa shenja jete në momentin e mbërritjes në qendrën shëndetësore të Roskovecit.
Policia konfirmoi ngjarjen me një njoftim zyrtar:
“Rreth orës 12:40, në fshatin Suk 2, Roskovec, dyshohet se është shembur një mur rrethues në pronësi të shtetasit L. T., dhe për pasojë ka zënë poshtë vajzën e tij të mitur rreth 4 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë.”
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që komuniteti është në tronditje për këtë tragjedi që ka marrë jetën e një fëmije në moshë të njomë, në një vend që duhej të ishte i sigurt – oborri i shtëpisë.