
TIRANË – Rreth 43 mijë metra katrorë të Parkut të Madh te Liqeni Artificial janë zhveshur nga gjelbërimi për t’i lënë vend koncertit të reperit Noizy, i planifikuar më 31 maj. Më shumë se një koncert, kjo po shihet si shpërblim politik për mbështetjen që artisti i dha fushatës së Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Sipas dokumenteve, më 30 prill – vetëm pak ditë para zgjedhjeve – Jonida Halili, zyrtare e Bashkisë Tiranë, nënshkroi një leje të kamufluar si “shfrytëzim hapësire publike”, duke i hapur rrugë prerjes së pemëve, shkuljes së shkurreve dhe asfaltimit të një pjese nga “mushkëria e fundit” e kryeqytetit.
Qytetarët dhe ambientalistët të alarmuar
Lavdosh Feruni, një nga zërat më të fortë të mbrojtjes së mjedisit, deklaron:
“Dëmi është katastrofik. Kjo zonë i shërbente mbi 100 mijë qytetarëve për ajër të pastër. E kthyer në çakull dhe zhavorr, do duhen vite të rikuperohet, nëse ndonjëherë kthehet më.”
Për Ferunin, kjo ndërhyrje me mjete të rënda ka qëllime më të thella:
“Duket si përgatitje për një projekt afatgjatë. Ndoshta për ndërtim ose privatizim të heshtur në emër të ‘eventeve kulturore’.”
Zemërim dhe heshtje nga institucionet
Ekipi investigativ i “Piranjave” kërkoi informacion nga Bashkia Tiranë mbi statusin ligjor të zonës së gjelbër, por u përball me heshtje zyrtare. Tentativa për të marrë një deklaratë nga vetë Jonida Halili përfundoi me largimin e saj të heshtur, ndërsa rojet e bashkisë ushtronin presion fizik ndaj gazetarëve.
“Koncerti i Noizy-t” si skenar i njohur: Rikthim i modelit “Sunny Hill”
Ngjarja sjell ndër mend koncertin e Dua Lipës në vitin 2022, kur një pjesë tjetër e parkut u shkatërrua, për t’u mbjellë më pas pemë me paratë e qytetarëve, pemë që tani janë sërish shkulur për koncertin e radhës.
Zëri i qytetarëve: “Po betonizoni frymëmarrjen tonë”
“Ky vend ishte lulishte, park, gjelbërim. Pse për një koncert duhet të zhduket gjelbrimi?”
“Tani është mbushur me beton e kamionë. S’ka drejtësi për parkun tonë.”
Kush e dha lejen për prishjen e parkut?
Jonida Halili, zyrtare në Bashkinë e Tiranës, firmosi lejen më 30 prill 2025.
Për çfarë arsye u shkatërrua zona e gjelbër?
Zyrtarisht: për koncert. Realisht: si “qokë politike” për Noizy-n, mbështetës i fushatës së Ramës dhe Veliajt.
Cili është dëmi?
U prekën 43 mijë m² park pyjor, ekuivalente me nevojat për ajër të pastër të 100 mijë qytetarëve.
Do rikthehet ndonjëherë gjelbërimi?
Ekspertët janë skeptikë. Toka mund të rikuperohet vetëm nëse hiqet çakulli dhe vitalizohet për vite me radhë.
Burimi: PIRANJAT